Sport

Fiorentina pa frena në merkato, kërkon shërbimet e yllit të Real Madrid-it


Italianët e Fiorentina-s janë aktiv këtë merkato dimërore. Pas transferimeve të Jonathan Ikone-s nga Lille dhe Krzysztof Piatek-ut nga Hertha, po kërkojnë një tjetër përforcim me emër.

Sipas raporteve nga mediat italiane, emri i radhës që synon klubi viola vjen nga Real Madrid-i. Aktualisht në skuadrën e Fiore-s ndodhet, Alvaro Odriozola, një tjetër lojtar në pronësi të madrilenëve.

“Gazzeta dello Sport” pohon se lojtari tjetër që kërkon Fiorentina nga Real-i është Isco Alarcon.

Mesfushori nuk po gjen prej kohësh hapësirat e nevojshme në “Santiago Bernabeu” dhe largimi është gjithnjë e më pranë.

Nuk është hera e parë që 29-vjeçari lidhet me një kalim të mundshëm në Serie A. Juventus-i dhe Milan-i e kanë vëzhguar prej kohësh fituesin e katërfishtë të Champions League-s.

Real-i e transferoi Isco-n në verën e 2013 nga Malaga për shifrën e 30 milionë eurove. Aktualisht, sipas “Transfermarkt”-it, kartoni i spanjollit vlerësohet 9 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore