Lajme

Finlanda nuk i pranon kosovarët e pavaksinuar


Shteti finlandez ka njoftuar se nga data 16 gusht, të gjithë udhëtarët nga Kosova dhe Maqedonia Veriore nuk mund të futen në territorin e Finlandës, pa u vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.

Si dëshmi e imunizimit, Finlanda do të pranoj vetëm vaksinat e pranuara nga autoritetet finlandeze.

Një ditë  më parë, revista Schengenvisainfo, ka njoftuar se Qeveria e Finlandës miratoi vendimin për ndryshimin e masave kufizuese për udhëtaret që vijnë nga vendet jashtë Bashkimi Evropian dhe zonës Schengen, bazuar në shkallën e infeksionit.

“Vendimi i 5 gushtit 2021 është amendamentuar ashtu që kufizimet e hyrjes iu kthehen banorëve të Kosovës që vijnë në Finlandë nga Kosova dhe banorëve të Maqedonisë Veriore që arrijnë në Finlandë nga Maqedonia Veriore”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Brendshme të Finlandës.

Sipas vendimit të ri, udhëtarët e Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, të cilët nuk janë vaksinuar kundër Covid-19, mund të hyjnë në Finlandë vetëm nëse janë duke u kthyer në Finlandë ose nga shtetet e BE-së, edhe nga zona Schemgen, apo edhe duke kaluar transit dhe për qëllime tjera të hyrjes, që ndodhen në listën e qëllimeve themelore nga autoritetet finlandeze.

Po ashtu javën e kaluar, Finlanda ua ndaloi hyrjen personave të cilët nuk janë të vaksinuar, e që vijnë nga Serbia, Azerbajxhani, Japonia, Koreja Jugore, Moldavia dhe Singapori.

Ndërsa, Finlanda ka raportuar gjithsej 1 mijë e 24 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar në një total prej 115 mijë e 305 numrin e rasteve të regjistruara që nga fillimi i pandemisë, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore