Finlanda do të luftojë me Rusinë nëse sulmohet, thotë gjenerali finlandez

SHFLETO
albanianpost
23.06.2022 7:42
Loading Icons...

Finlanda është përgatitur prej dekadash për një sulm rus dhe do të bënte rezistencë të ashpër nëse do të ndodhte.

Kështu deklaroi shefi finlandez i Forcave të Armatosura, Timo Kivinen, duke u cituar nga agjencia Reuters.

Vendi nordik ka ndërtuar një arsenal të konsiderueshëm.

Por përveç pajisjeve ushtarake, shtoi gjenerali finlandez, një faktor vendimtar është motivimi i vendasve për të luftuar.

“Linja më e rëndësishme e mbrojtjes është mes veshëve, siç e dëshmon lufta në Ukrainë për momentin”, tha Kivinen në një intervistë.

Finlanda luftoi dy luftëra në vitet 1940 kundër fqinjit të saj lindor, me të cilin ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki zyrtar ka mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake.

Rreth 100 mijë finlandezë u vranë gjatë dy luftërave që Finlanda luftoi kundër Bashkimit Sovjetik dhe humbi një të dhjetën e territorit të saj.

Kombi prej 5.5 milionë banorësh ka një forcë lufte prej rreth 280 mijë trupash me 870 mijë të trajnuar si rezervistë.

Ai nuk e hoqi detyrimin ushtarak për meshkujt siç bënë shumë vende të tjera perëndimore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Finlanda gjithashtu ka ndërtuar një nga artileritë më të forta të Evropës dhe është pajisur me raketa lundrimi me rreze veprimi deri në 370 kilometra.

Ajo shpenzon 2 për qind të PBB-së së saj për mbrojtje, një nivel më i lartë se shumë vende të NATO-s.

Autoritetet kanë porositur katër anije të reja luftarake, si dhe 64 avionë luftarakë F-35 nga gjigandi amerikan i mbrojtjes Lockheed Martin (LMT.N).