Lajme

Financial Times: Tensionet kanë rënë, por antagonizmat mes Kosovës e Serbisë po vazhdojnë


Gazeta prestigjioze, Financial Times ka shkruar se pavarësisht marrëveshjes së fundit për dokumentet për hyrje/dalje, antagonizmat mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë përfunduar.

Plator Avdiu, studiues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili foli për Financial Times, tha se ndërsa marrëveshja e muajit të kaluar zbuti tensionet, shtrirja e saj ishte e kufizuar dhe retorika nga Serbia nënkuptonte se kishte pak mundësi për një marrëveshje finale.

“Nuk shoh hapësirë ​​për një marrëveshje përfundimtare shumë shpejt”, tha Avdiu, duke shtuar se kjo varet edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.

“Marrëveshja për ID-të erdhi krejt papritur. Por nëse doni të jeni realistë. . . edhe nëse Kosova pranon më shumë lëshime politike, nuk ka asnjë garancion që Serbia ta njoh Kosovën”.

Gazeta britanike, më tej citon edhe Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili kishte shkruar në Facebook, se nuk do ketë njohje reciproke.

Në një lokal në Mitrovicë, Millosh Damjanoviç, një serb vendas, tha se ishte “kundër çdo marrëveshjeje me Prishtinën. Ne i shohim si një institucion paralel, të paligjshëm. Ne jemi qytetarë vendas të Serbisë, pavarësisht nga marrëveshja e Brukselit apo marrëveshjet e tjera”.

“Pas vitit 1999 bashkësia ndërkombëtare e lejoi Prishtinën të organizohej”, shtoi ai. “Duhet të na lejohet të riorganizojmë Serbinë”, tha ai për Financial Times.

Kurse Valdete Idrizi ishte adoleshente kur u largua nga Mitrovica me një nga autobusët e fundit që u largua pasi NATO bombardoi Serbinë në përgjigje të vrasjeve të shqiptarëve nga Beogradi. Me gjyshen e saj 85-vjeçare në krah, ajo e kaloi pjesën më të madhe të rrugës për në Mal të Zi.

Ish-deputetja e Parlamentit të Kososvës, Valdete Idrizi, krijoi një OJQ për të nxitur dialogun me serbët vendas. Tani ajo është drejtore kulturore në qeverinë komunale të Mitrovicës, dhe ndihmoi në krijimin e një instalacioni artistik në ujërat e cekëta të Ibrit që dyfishohet si një pikë takimi për serbët dhe shqiptarët.

“Njerëzit takohen në lum, i cili na ka ndarë për kaq shumë kohë. Edhe serbët janë të lodhur duke u keqpërdorur”, tha ajo.

Financial Times shton se disa serbë lokalë po punojnë gjithashtu për të qetësuar tensionet etnike. Miodrag Miliceviç kryeson grupin hulumtues Aktiv, i cili mbron dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të zgjidhur problemet e komunitetit serb, i cili tani përbën rreth 5 për qind të popullsisë në Kosovë.

“I thashë të dyja palëve, të refuzojnë retorikën toksike, të flasin me shtypin së bashku, të sillni bisedime dypalëshe në Beograd dhe Prishtinë, jo në Bruksel – dhe lini simbolikën pas”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, foli për Financial Times, ku ka thënë se “Ne kemi nevojë për zgjidhjen e konfliktit”.

“Dua të shkoj përtej menaxhimit të krizës”, tha Kurti për Financial Times. “Ne kemi nevojë për zgjidhjen e konfliktit. . . një logjikë transformuese”.

Por një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës nuk mund të përballojnë asnjë kompromis.

“Nëse më pyet nëse mund të jetojmë së bashku, nuk mundemi. Dhe serbët, as nuk duan”, tha Rustem Suhodolli, një shqiptar që u detyrua të ikte nga veriu i Mitrovicës gjatë luftës dhe tani jeton në jug të qytetit.

Ai është i zemëruar me neutralitetin tashmë të kujdesshëm të perëndimit, i cili kërkon lëshime nga Prishtina. “Dikur i bombarduan serbët për të na shpëtuar dhe tani po zbuten? Budallallëqe”, shtoi ai.

Kurse, Nenad Rashiç, një ish politikan serb nga Kosova, tha se dhënia e më shumë të drejtave të serbëve vendas, mund të dobësojë influencën e Beogradit.

Rashiç tha se reforma më e rëndësishme do të ishte krijimi i një Asociacioni të Komunave Serbe, i cili do t’u jepte serbëve vendas një zë më të fortë në Kosovë. Në vitin 2015, të dyja palët ranë dakord për të krijuar grupin, por Kosova ende nuk e ka zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore