Lajme

Financial Times: Nacionalistët serbë po rikthehen në veri të Kosovës – Vuçiçi dhe Lista Serbe po e humbin mbështetjen


Ilustrim

Gazeta e njohur britanike “Financial Times”, të enjten i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë – atje ku tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rikthyer sërish ndërsa zgjidhja e një “konflikti me rrënjë të thella” nuk duket akoma në horizont.

Artikulli i shkruar nga gazetarët Camilla Bell-Davies dhe Marton Dunai është titulluar “Radikalët serbë po rikthehen në veri të Kosovës” dhe aty shpjegohet kronologjia e ngjarjeve që pasuan deri te tensionet gjithnjë e më të mprehta në veriun e Kosovës të populluar me shumicë serbe.

“Nacionalistët serbë po rikthehen në veri të Kosovës pas rritjes së pakënaqësisë me liderët në Prishtinë dhe Beograd – potencialisht duke minuar bisedimet diplomatike dhe duke rritur rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në artikullin e prestigjiozes britanike.

Aty ndër të tjera thuhet se serbët e Kosovës po shohin një paaftësi te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Lista Serbi – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – për t’i mbrojtur interesat e tyre, ndërsa thuhet se mbështetja për këtë parti politike tashmë ka rënë ndjeshëm.

“Nuk ka asnjë sondazh për të matur mbështetjen për kundërshtarët e Listës Serbe. Por më shumë sfidues janë shfaqur, veçanërisht nga krahu nacionalist”, thuhet në artikullin e gazetës britanike, ndërsa shtohet se shumë serbë po largohen nga veriu.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka thënë se situata e tensionuar në veriun e Kosovës të banuar me serbë, përveç se po i mban Kosovën dhe Serbinë në “ngërç”, të dy popujt ballkanikë po bëhen gjithnjë e më të frustruar me këtë situatë, që sipas tij, mund të çojë në “vetë-shkatërrim”.

Në një prononcim për gazetën prestigjioze, njeriu që ishte në krye të shtetit më të fortë në botë në kohën kur NATO-ja bombardoi Serbinë dhe Malin e Zi për shkak të Kosovës, ndau përshtypjet e tij për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet mes palëve tash e sa kohë.

“Është keq për demokracinë në kohë afatshkurtër dhe për jetën e përditshme të njerëzve atje. Dhe (kjo) po i mban shtetet jo vetëm në ngërç por edhe duke e ftuar secilin të bëhet më i frustruar dhe të bëjë gjëra vetëshkatërruese”, ka thënë ish-presidenti Clinton.

Ndryshe, energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në çastin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga ky episod i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore