Lajme

“Financial Times” kritikon qasjen e butë të BE-së ndaj Vuçiçit


Aleksandër Vuçiç

Në një analizë të prestigjozes “Financial Times” kushtuar cilësisë së demokracisë në Serbi, politikës së jashtme pro-ruse dhe ngërçit në dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, kritikohet ‘qasja e butë’ e eurokratëve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndërsa jepen disa arsye pse evropianët ndjekin këtë politikë.

Në radhë të parë, një ndër aryset pse BE-ja minimizon deficitet serioze të regjimit të Vuçiçit, sipas gazetës britanike, qëndron tek fakti se qeveritë evropiane i frikësohen rikthimit të krizës së refugjatëve dhe emigrantëve që përfshiu Evropën Juglindore dhe tronditi vetë BE-në përgjatë viteve 2015 dhe 2016, ndërsa bashkëpunimi i Serbisë në këtë drejtim shihet si preventivë.

“Në mars, Ylva Johansson, komisionerja për çështjet e brendshme të BE-së, vizitoi Beogradin dhe lavdëroi autoritetet serbe për frenimin e migrantëve të parregullt […] Bashkëpunimi për migracionin ishte një temë kryesore e vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në Beograd, në muajin dhjetor”, thuhet në artikullin e së shtunës së gazetës së njohur britanike.

Litiumi është arsyeja e dytë pse BE-ja tregohet e butë ndaj presidentit serb. Në analizën e “Financial Times” thuhet se ndonëse ekonomia e Serbisë është relativisht e vogël, shteti serb posedon një nga depozitat më të mëdha të litiumit në kontinentin evropian – mineral kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike, të cilat mundësojnë që makinat të mos përdorin naftë.

“Në shtator, komisioneri i BE-së, Maros Sefçoviç nënshkroi një marrëveshje mbi partneritetin mes BE-së dhe Serbisë në bateritë dhe lëndët e para kritike, duke përfshirë litiumin […] Serbia do të ishte furnizuesi më i përshtatshëm – megjithëse do të nënkuptonte rivendosjen e një projekti të minierave të litiumit që u anulua në vitin 2022 pas protestave lokale”.

E aryseja e tretë në listën e prestigjozes britanike mbi qasjen e butë ndaj Serbisë është edhe procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vitin e kaluar e që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë.

“Për evropianët dhe amerikanët, një konflikt në Evropën Juglindore do të ishte jashtëzakonisht i padëshiruar në një kohë kur mbështetja e aleatëve për Ukrainën po vihet nën presion dhe pranisë së rreziqeve nga veprimet kineze kundër Tajvanit […] Vuçiçi tregoi pak shenja për ta paguar besimin që liderët perëndimorë i kanë dhënë për të arritur një zgjidhje për Kosovën”.

“Në përgjithësi, lind pyetja: A po sjell ndonjë përfitim real përpjekja e perëndimit për të punuar në mënyrë konstruktive me Vuçiçin? Për sa i përket cilësisë së demokracisë serbe, politikës së jashtme pro-perëndimore dhe kërkimit të një marrëveshjeje për Kosovën, përgjigja duket se është një ‘Jo’”.

Shpresa se e ardhmja drejt BE-së mund ta bindë Serbinë t’u përmbahet normave demokratike dhe të përmbahet nga minimi i shteteve fqinje, konbinuar nga trajtimi shumë i butë i presidentit serb, krahasur me fqinjët rajonalë, sipas shumë mediave të huaja perëndimore, rezultuan të gabuara.

Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore