Shqipëria

Filtrat janë të mirë, por kujdesi ndaj lëkurës është më i mirë


Në mediat sociale asgjë s’mungon.

As rekomandimet që, në fakt, duhet të jepen nga dermatologët.

Këshillat për kujdesin e lëkurës dhe produktet që ‘duhen’ përdorur për të trajtuar këtë apo atë problem janë të pafundme.

Por, a është fytyra e gjithsecilit njësoj? Dhe a mund të përdoret i njëjti produkt për të gjitha llojet e fytyrave?

Përgjigjja është e thjeshtë. Jo!

Kot s’thonë që, rutina e kujdesit të lëkurës është si një llogari bankare. Duhet investuar me mençuri.

Dermatologe Jorida Memini, e kontaktuar nga Albanian Post, rekomandon të tregohet kujdes.

Sipas saj, tregu i produkteve dermokozmetike është shumë i gjerë dhe konkurrenca shumë e lartë. Çka ka sjellë për rrjedhojë reklamimin e produkteve me mënyra nga më të ndryshmet.

Njëra nga te cilat është dhe ajo ku influencuese të ndryshme u sugjerojnë produkte të ndryshme të kujdesit ndaj lëkurës ndjekësve të tyre.

“Pavarësisht se produktet që sugjerohen mund të jenë cilësore, jo domosdoshmërisht janë produktet e duhura për secilin”, thekson ajo.

Për dermatologen, përkujdesja për lëkurën duket sikur është gjëja më e thjeshtë në botë, por nuk është dhe aq e thjeshtë.

Shumë paciente gjatë konsultave me të i referojnë se përdorin të njëjtat produkte me mikeshat, pa e ditur që çdo lëkurë ka specifikat e veta.

“Ndërkohë që një fytyre një produkt i qëndron mirë, një fytyre tjetër i shkakton problematika. Madje pacienteve me problematika të njëjta, i njëjti mjekim e krem nuk u qëndron njësoj”, dallon ajo.

Një nga sugjerimet e Meminit është që kremi të mos zgjidhet as se e ka sugjeruar shoqja, as se e sheh te një influencuese në Instagram apo TikTok dhe as se është i shtrenjtë.

“Hapi i parë për të përzgjedhur një produkt të caktuar është të njohësh problematikat dhe llojin e lëkurës. Ky është dhe hapi më i rëndësishëm”, këshillon ajo.

Dhe se, nëse paçka përpjekjeve nuk arrin dot ta kuptosh çfarë lloj lëkure ke, duhet të flasësh me mjekun dermatolog.

“Kështu merr një rutinë lëkure të personalizuar dhe gjithashtu këshilla përkujdesjeje. Kontakti me mjekun dermatolog duhet të jetë i vazhdueshëm pasi fytyra është në ndryshim të vazhdueshëm”.

“Ndaj, për t’i evituar vetes kostot shtesë për një produkt që nuk është i duhuri, dëm ekonomik për konsultat që do të duhen për të marrë mjekimin e duhur ndaj efekteve anësore që ky produkt mund të shkaktojë, e mira është që për këshillat e duhura të flitet e të dëgjohet vetëm specialisti i duhur i fushës”.

Ndërto rutinën ditore

Memini tregon për Albanian Post se gjëja e parë e rëndësishme që duhet të kemi parasysh sa i përket rutinës ditore të kujdesit ndaj lëkurës është fakti që lëkura ndryshon bashkë me motin.

“Teksa në stinën e dimrit vendosim theksin në hidratimin e duhur të lëkurës për të evituar tharjen e lëkurës që nxit i ftohti, në verë i kushtojmë më shumë rëndësi mbrojtjes nga dielli paçka se kremi me filtër mbrojtës duhet të jetë i pranishëm çdo ditë të vitit”, thotë ajo.

Lidhur me rutinën, ajo rekomandon larjen e fytyrës dy herë në ditë me larësin e përshtatur për llojin e lëkurës.

Në mëngjes, pas larjes, rekomandom të përfshihen në rutinë serume me anti-oksidantë, preferohen ato me Vitaminë C që arrijnë edhe një mbrojtje optimale nga rrezet UV duke parandaluar formimin e njollave të errëta si rrjedhojë e rrezatimit diellor.

Hidratuesit që gjithashtu përshtaten me llojin e lëkurës në stinën e nxehtë preferohen më të lehtë në teksturë se hidratuesit që përdoren në dimër.

Kremi i diellit, që është edhe kryefjala e sezonit të verës, sipas dermatologes duhet aplikuar në mëngjes para se të dalim nga shtëpia dhe duhet ri-aplikuar në distancë kohore çdo dy deri në tre orë.

Kurse sa i përket mbrëmjes, ajo dallon se kërkohet larje dyfishe, me larës që pastron makeup-in apo papastërtitë e grumbulluara në lëkurë gjatë ditës, si dhe me larësin normal.

“Hidratimi vazhdon dhe mbetet pjesë e rëndësishme e rutinës pavarësisht se shumë njerëz kujtojnë se në verë fytyra nuk ka nevojë për hidratues”, ravijëzon Memini.

Ekspertja këshillon që dy deri në tre herë në javë të përdoren maska të ndryshme të përshtatura me llojin e lëkurës dhe problematikat që paraqet.

Gjithashtu edhe me eksfoliuesit kimikë që ndihmojnë në procesin e ndërrimit dhe rigjenerimit qelizor.

Mos harro SPF-në

“Rëndësia e kremit të diellit gjatë sezonit të verës merr një vlerë të veçantë për vet faktin se njerëzit janë të predispozuar të qëndrojnë të ekspozuar më gjatë në ambientet e jashtme, dhe rrezatimi në verë është më i fortë se në dimër”, sqaron dermatologia.

Sipas saj, kremi i diellit nuk na mbron vetëm nga djegia e lëkurës si rrjedhojë e rrezatimit të fortë, por na mbron dhe nga plakja, njollat e errëta, karcinomat e lëkurës dhe probleme të tjera.

Ajo e cilëson aplikimin e tij në mëngjes të rëndësishëm përpara se të vijojmë aktivitetin normal dhe ri-aplikimin çdo dy deri në tre orë apo menjëherë pas daljes nga uji në plazh edhe nëse kremi i diellit mund te jetë ‘rezistent ndaj ujit’.

Po ashtu bën me dije se kremi mbrojtës përveç fytyrës dhe trupit duhet aplikuar dhe në vende që shumë shpesh harrojmë si qafa, veshët, buzët, lëkurën e kokës sidomos te njerëzit me flokë të rrallë dhe ata që kanë skalp plotësisht të ekspozuar.

Gjithashtu duhet të aplikohet edhe në ditët e vrenjtura me re.

“Kremi i diellit duhet përshtatur me llojin e lëkurës, kujdes i veçantë duhet bërë me përbërësit e kremit kryesisht në lëkurat sensitive dhe që skuqen lehtë. Fondatinat apo makeup-et me SPF nuk janë të mjaftueshme për mbrojtjen e duhur ndaj rrezatimit ultraviolet”.

Për një mbrojtje optimale ndaj rezeve të diellit dhe efekteve anësore të rrezatimit diellor, ajo rekomandon që kremi i diellit të kombinohet dhe me masa të tjera mbrojtëse si syze dielli, kapele, përdorimi i rrobave të lehta, të bardha apo me faktorë mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet, rrobat UPF (ultraviolet protection factor), të evitohet dalja nën rrezatimin e diellit në oraret e pikut nga ora 10:00 e mëngjesit deri ne 16:00 pasdite.

Fytyrat me probleme në fokus

Memini tregon se problematikat kryesore që hasen gjatë periudhës së verës janë shpërthimi i puçrrave me natyrë të ndryshme (alergjike, kontakti, të lidhura me djersitjen), djegiet nga dielli, pickimet e insekteve, acarimi i akneve kryesisht të fytyrës, shfaqja apo theksimi i njollave të errëta të lidhura me diellin.

“Acarimi i gjendjeve kronike si rosacea, lupusi discoid apo vitiligo nga rrezet e forta të diellit, shtimi i keratozave aktinike e seborroike (plagët e moshës), për këto arsye është e nevojshme konsulta me mjekun dermatolog për të identifikuar diagnozën apo gjendjen e caktuar dhe marrja e terapisë dhe këshillave të duhura”.

Sipas saj, meqë shumë sëmundje e gjendje të lëkurës janë të ngjashme është e rëndësishme që mos të bëhen mjekime pa u konsultuar fillimisht me një mjek specialist të problemeve të lëkurës.

Lëkurat akneike në verë prodhojnë më shumë yndyrë se zakonisht, referuar ekspertes, e për rrjedhojë duhen shtuar produkte që mbajnë prodhimin e yndyrës (sebumit) nën kontroll, të përdoren produkte me përbërës jo-komedonogjenik dhe të kryhet periodikisht procesi eksfolimit që nuk lejon bllokimin e poreve dhe për rjedhojë acarimin e akneve.

“Njerëzit me lëkurë të ndjeshme që kanë tendencë të skuqen, ashtu si dhe lëkurat që kanë tendencë për të bërë njolla duhet të jenë rigoroz me përdorimin e duhur të kremit mbrojtës ndaj diellit sipas udhëzimeve të mjekut dhe farmacistit”, thotë ajo.

Po ashtu lëkura e trupit që ka tendencë të thahet e dehidratohet nga rrezatimi diellor, sidomos në periudhën e plazhit duhet hidratuar vazhdimisht.

“Njerëzit që kanë nishane në trup duhet të jenë të vëmendshëm në mbrojtjen e duhur të tyre apo ndryshimet që mund të pësojnë në formë, madhësi apo ngjyrë”, thekson ajo.

E gjitha pasi një faktor i rëndësishëm i transformimit malinj të nishaneve është pikërisht rrezatimi diellor dhe rrezet e dëmshme ultraviolet.

Trajtimet s’kanë kohë

Dermatologia Memini thotë se perceptimi i përgjithshëm se me ardhjen e stinës së ngrohtë e rrezeve të forta të diellit, procedurat dermokozmetike janë të ndaluara, është pjesërisht një mit.

Teksa ka procedura që preferohen të bëhen gjatë vjeshtës e dimrit si procedura me lazer për rigjenerimin e lëkurës, “shumica e procedurave janë shumë të sigurta për t’u kryer edhe gjatë periudhës së verës”.

Ajo veçon Botox-in si një procedurë që preferohet gjatë stinës së ngrohtë jo vetëm për pjesën e rrudhave, por edhe për indikacionet që ajo ka lidhur me hiperhidrozën apo djersitjen e shtuar sidomos në pjesën e sqetullave dhe në pëllëmba të duarve.

Ajo rendit edhe një procedurë tjetër, injektimin e acidit hialuronik apo fillerave, procedurë që nuk ka asnjë kundër-indikacion për t’u kryer gjatë sezonit të verës.

Nga ana tjetër, mezoterapitë e ndryshme me plazmë (PRP) me kokteje multivitaminash, anti-oksidantësh apo acidit hialuronik janë një tjetër alternativë e sigurt dhe që i ofron shkëlqim dhe jetë lëkurës së fytyrës, qafës e dekoltesë.

Alternativa të tjera janë hidrafaciali, procedurat e mikroçpimeve apo mikroneedling, trajtimet e hiperpigmentimeve apo njollave kafe apo trajtimet anticelulit të trupit.

“Çka duhet theksuar ndërkohë që këto procedura duhet të bëhen nën kujdesin e profesionistëve me kualifikimet e duhura për çdo procedurë, të cilët janë të aftë të japin këshillat e duhura për përkujdesjen gjatë periudhës posprocedurë apo për sqarimin dhe minimizimin e efekteve anësore të mundshme”, përmbyll Memini.

Ndaj kujdes!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore