Film

Filmi “Vera Andrron Detin” do të shfaqet në Festivalin e Venezia-s


Fotografi nga sekuencat e filmit "Vera Andrron Detin".

Filmi “Vera Andrron Detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi do të jepet si premierë botërore në një nga festivalet më prestigjioze në botë, atë të Festivalit të Filmit të Venezia-s – “Venice Film Festival”.

“Vera Andrron Detin” është në konkurrencë zyrtare në programin “Orizzonti”, ndërsa president i jurisë është regjisorja boshnjake, Jasmila Zbaniç.

Filmi kosovar është nominuar në disa kategori, atë të “Filmit më të mirë”, “Regjisë më të mirë”, “Çmimin special të jurisë”, “Aktori dhe aktorja më e mirë” si dhe “Skenari më i mirë”.

Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit.

Fotografi nga sekuencat e filmit “Vera Andrron Detin”.

Historia e filmit paraqet përditshmërinë e qetë të personazhit kryesor – Verës, e cila çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, e shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Fotografi nga sekuencat e filmit “Vera Andrron Detin”.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Ndërkohë, në lidhje me premierën e filmit “Vera Andrron Detin” në festivalin italian, sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisorja Krasniqi është shprehur e lumtur për këtë fakt, ndërsa ka thënë se ka vite të tëra që është determinuar t’u jap zë grave në mezomoshë.

“Në këtë rrugëtim shtatë vjeçar plot sfida, kam qenë e determinuar t’u jap zë grave në mezomoshë – gjeneratë kjo që rrallë shqyrtohet në film, por edhe letërsi. Në anën tjetër, shumë stereotipe i m vishen këtij brezi”.

“Lufta e Verës për pronën familjare shpalosë një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, për të cilat kemi nevojë të mendojmë kolektivisht – jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht – këtë herë duke mos negociu me traditën. Ndihem shumë e nderuar që “Vera Andrron Detin” do ta ketë premierën këtë shtator, në njërin prej festivaleve të ëndrrave të mija – Venice Film Festival”, ka thënë ajo.

Astrit Kabashi në rolin e tij brenda filmit “Vera Andrron Detin”.

Filmi përbëhet prej një kasti aktorësh ku bëjnë pjesë; Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e disa të tjerë.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore