Film

Filmi “Athena” – një vështrim mbi krizën e emigrantëve


Athena, foto e shkëputur nga filmi/Netflix

Filmi Athena i regjisorit francez, Romain Gavras, merr në shqyrtim racizmin, pabarazinë dhe dhunën brutale të policisë ndaj emigrantëve.

Filmi është i frymëzuar nga tragjedia greke dhe plotësohet nga tre elementet themelore të dramës aristoteliane (harmonisë së vendit, kohës dhe veprimit).

Si i tillë, mbulon një hapësirë të vetme fizike, një lagje të margjinalizuar të Francës, Athena, ku jetojnë kryesisht komuniteti algjerian.

Ngjarja zhvillohet për një ditë dhe përcillet nga veprimet e tre vëllezërve, Abdel (Dali Benssalah), Karim (Sami Slimane) dhe Moktar (Ouassini Embarek), të cilët shpërfaqin mundësitë e kufizuara dhe vështirësitë e emigrantëve për t’u bërë pjesë e një sistemi që në thelb është ndërtuar kundër tyre.

Stili vizual dhe portretizimi mahnitës i frikës, anarkisë dhe shtypjes e bëjnë këtë film drithërues dhe tërheqës.

Foto e shkëputur nga filmi/Netflix

Sekuenca e parë e filmit (Athena transmetohet në Netflix, pas premierës në Festivalin e Filmit në Venecia), fillon me paraqitjen e Abdel në një konferencë në stacionin e policisë franceze, nga ku jep lajmin se Idir, vëllau i tij 13 vjeçar, dyshohet se është vrarë brutalisht nga dhuna e policisë.

Duke qenë pjesë përbërëse e sistemit (ushtar i dekoruar) ai beson dhe njëkohësisht siguron edhe të tjerët përreth tij se autoritetet do ta zbardhin rastin dhe do t’i sjellin vrasësit para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Karim, një figurë revolucionare, beson se sistemi nuk mund të sjellë drejtësi për askënd derisa të shembet dhe të rindërtohet nga e para.

“Vive la révolution”, i thërrasin sytë atij, ndërsa gjatë kërkesës së Abdel për qetësi, në heshtje ndez një koktej molotovi dhe e hedh drejt turmës, duke nxitur anarkinë absolute që do të pasojë.

Kurse, Moktar është një trafikant droge që nuk i intereson asgjë përveçse ta shpëtojë biznesin e tij ilegal nga trazirat dhe të përfitojë nga kaosi.

Ndërsa situata përshkallëzohet shpejtë në dhunë, Athena shndërrohet në një fortifikatë, duke u bërë një skenë ndërluftuese mes protestuesve dhe policisë deri në fundin radikal: “Lufta Civile në Francë”.

Sigurisht, filmi mund të shihet edhe si një thirrje pasionante për veprim, duke i dhënë impulseve revolucionare një shije rezistence.

Por, njëkohësisht, i dërgon audiencës një mesazh të qartë për krizën e ardhshme, konfliktin që do të gërryej shumë shoqëri, “Ne” kundër “Atyre”.

Ky film na kujton se sa shpejt zemërimi publik mund të ndryshojë historinë dhe është e pamundur të injorohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore