Shqipëria

Fillojnë punimet e Këshillit të 12-të të Stabilizim Asociimit


Autoritetet shqiptare janë takuar me përfaqësuesit evropianë të enjten e 16 marsit në kuadër të punimeve të Këshillit të 12-të të Stabilizim Asociimit.

Këshilli i 12-të i Stabilizim-Asociimit pritet të shqyrtojë marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Pjesëmarrësit do të përqendrohen në strategjinë e pranimit, duke përfshirë kriteret politike, kriteret ekonomike dhe acquis të BE-së, dhe do të analizojnë marrëdhëniet dypalëshe sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Gjithashtu do të ketë një shkëmbim mendimesh për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell mbërriti më herët në Tiranë për Këshillin e 12-të të Stabilizim Asociimit.

Lajmi u bë i ditur nga kryediplomati evropian, duke cituar statusin e tij në median sociale.

“Gëzohem që e nis ditën time në Tiranë ku do të mbajmë Këshillin e Stabilizim-Asociimit me Kryeministrin Edi Rama – historikisht për herë të parë në Shqipëri. Kjo pasqyron angazhimin e qartë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe vlerësimin për orientimin e saj strategjik edhe në politikën e jashtme”, shkruan Borrell.

Punimet do të përmbyllen me një konferencë për shtyp.

Një ditë më pas, autoritetet evropiane do të zhvendosen në Shkup për t’u takuar me përfaqësues të qeverisë maqedonase për Këshillin e 16-të të Stabilizim Asociimit.

Si Varhely dhe Borrell kanë qenë dy zëra mbështetës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Borrell shpesh ka theksuar se ka ardhur koha të rijetësohet procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e pakthyeshme e Bashkimit Evropian.

“Të qenët të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë. Ka ardhur koha që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që këtë ndoshta e keni dëgjuar edhe herë të tjera në të shkuarën”, tha Borrell në një konferencë për media më kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Ai vlerësoi rreshtimin e Shqipërisë me vendet tjera të BE-së, duke thënë se “Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm në negociatat me Bashkimin Evropian, ku tashmë grupi i dytë i kapitujve, është shqyrtuar plotësisht.

Tryezat e këtij formati janë dypalëshe dhe organizohen në sesione të ndryshme.

“Procesi i negociatave për anëtarësimin në BE po ecën përpara me diskutime të frytshme mbi tregun e brendshëm e lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.

Kështu shkruhet në faqen zyrtare të zyrës së BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë.

Nisja zyrtare e shqyrtimit të kapitujve për Shqipërinë ishte më 30 janar, kur patën fillesë edhe takimet dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij të BE-së.

Kapitulli i parë i hapur më 30 janar, kishte të bënte pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave.

Më herët, Delegacioni i BE-së në Tiranë e ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE, e cila po ecën përpara.

Gjithashtu, ka përfunduar edhe procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore