Fillojnë gërmimet në varrezat e Mitrovicës Veriore – dyshohet se ka shqiptarë të vrarë

SHFLETO
Mergesa Redenica
29.04.2021 12:06
Loading Icons...

Kanë rifilluar gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në “Varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës”.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

“Më 29 prill, kemi rifilluar të punojmë me gërmimet në varrezat muslimane në Veri të Mitrovicës”, është shprehur ai.

Sipas Gërxhaliut këto punime kanë filluar pas gërmimeve të cilat i kanë kryer javën e kaluar në Arbanë të Prizrenit ku është “ek-shumuar një rast në këto varreza, për të cilin do të vazhdojnë procedurat në IML dhe po punojmë në identifikimin e rastit”.

Ai po ashtu, ka treguar se këto punime do të zgjasin 15 deri në 20 ditë pune.

Ndërsa sa i përket gërmimeve në Kishevak të Serbisë, sipas Gërxhaliut “punimet do të rifillojnë më pesë maj, me dekonzervimin e terenit”.

Gërmimet në veri të Mitrovicës

Këtë e ka konfirmuar edhe Koordinatori i delegacionit të Kosovës për persona të pagjetur, Ibrahim Makolli.

“Po me urdhër të prokurorit po bëhen gërmime për me pa për dyshimet që ekzistojnë sepse një numër të viktimave janë varrosur në varreza normale”, tha ai.

Makolli në muajin shkurt të këtij viti pati deklaruar për Albanian Post se “me përmirësimin e motit do të rifillojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet se janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Do të rikthehemi në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak për të vazhduar me gërmimet vlerësuese në tërë hapësirën dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës, të vrarë e masakruar dhe të bartur në këtë lokacion me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit”, pati thënë Makolli.

Lokacioni ku dyshohet se janë fshehur trupat e njerëzve të vrarë është konservuar, andaj Makolli beson se vendi nuk do të dëmtohet deri në rifillimin e gërmimeve.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.