Shqipëria

Fillimi apo fundi i dinjitetit të kërkuar


“Krekosja se tani PD-ja e tij është më e fortë, më kujtoi një episod të vitit 2009”.

Memoria e publicistit Mero Baze, është ngacmuar nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha, duke e çuar atë në skuta të kujtesës, pas në kohë, kur ai dhe ish-kreu i demokratëve, kishin konflikte.

“Duke qenë në luftë me Sali Berishën, një natë para vitit të ri ai më dogji makinën para pallatit, duke bërë kujdes të terrorizonte dhe fëmijët, në përpjekje për të krijuar gjendje terrori”, i referohet Baze një episodi të një dekade më parë, kur Berisha qe ende kryeministër.

Mero Baze, publicist

Më pas, Baze tregon se si në një drekë me dy miq të tij biznesmenë, njëri prej tyre, pasi dëgjoi gjithë rrëfimin mbi ngjarjen, i dha gazetarit të njohur çelësat e një makine të re, më e mirë se ajo që kish pasur.

Baze vijon të tregojë, se ai e mori makinën dhe e mbajti atë deri në vitin 2013, kur Berisha iku nga pushteti. Kujtesa mbi atë çfarë pasoi, është pjesa më mbresëlënëse.

“Ishte shumë e mirë si makinë, dhe nuk më dhimbsej po të ma digjte prapë, por kishte një problem. Ishte pa letra dhe nuk dilja dot jashtë!”.

Paralelizmi? Partia e Berishës sot.

Ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha

Baze me anë të kësaj ngjarjeje, përkufizon gjithë Kuvendin e mbledhur nga Berisha dhe vendimet që aty u morën. Pra, duke e barazuar PD-në “e Berishës”, me një PD “në pronësi të tij, por jo tërësisht”.

Partia “anti-amerikane”

Sipas gazetarit Andi Bushati, në një pikë, Lulzim Basha ka pasur të drejtë. Kjo pikë për të, është paralajmërimi që Basha ka bërë, se Kuvendi i mbledhur nga shumica e delegatëve demokratë, është një tubim “anti-amerikan”.

Ajo çfarë ndodhi këtë 11 dhjetor, pra shkarkimi i Bashës me mocion mosbesimi dhe mbledhja në mënyrë të tillë, ishte “anti-amerikane”.

Ndonëse kjo situatë e pandodhur në Shqipëri më parë për shumicën lidhet me shpalljen e Berishës non grata, Bushati e lidh më së shumti me një politikë afatgjatë amerikane, për të mbështetur me çdo çmim një regjim, të cilin ai e quan kleptokratik.

“Për të vërtetuar këtë le të logjikojmë nga e kundërta. Le të supozojmë për një moment sikur Berisha vërtet të ishte shpallur non grata, por ndërkohë, në 25 prill, të kishte ndodhur rotacioni i pushtetit, që edhe vetë Basha e pranon se u pengua nga amerikanët”, hipotetizon Bushati.

Gazetari Andi Bushati

Më tej, ai shtron pyetjen, nëse do të kishte apo jo një reagim plebishitar pro Berishës, nëse në pushtet do të kishte ardhur Basha. Pra, “a do ta kishin braktisur Bashën deri në këtë pikë?”.

Sipas Bushatit, çdo njeri normal, nuk e imagjinon një hipotezë të tillë.

Por, fakti se Berisha po mbështetet kaq shumë sot, për të, lidhet me “njollën si i korruptuar që Amerika kërkoi t’i vendosë Berishës, por që nga të shumtë, u perceptua si një zgjatim i strategjisë diplomatike të shuarjes së opozitarizmit në favor të regjimit”.

Gjithsesi, kjo nuk mbetet një zgjedhje e lirë, siç argumenton analisti.

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Kuvendin Kombëtar demokrat, 11 dhjetor 2021

Ama, demokratët, u treguan të gatshëm të vetësakrifikoheshin dhe harakirin e tyre, e kanë në formën e dy mesazheve, një për shqiptarët e një për amerikanët.

Për shqiptarët, nëse janë të gatshëm t’i nënshtrohen padrejtësive, kur ua imponojnë të mëdhenjtë.

Për amerikanët, nëse ia vlen lindja në këtë vend të një sentimenti “anti-amerikan”, vetëm për hir të mbrojtjes së një bande kleptokratësh.

“Koncerti sekret”

“Kështu e filloi karrierën dhe siç duket, kështu do ta mbyllë”.

Sipas analistit Spartak Ngjela, ky rrugëtim i Berishës është identik me fillimet e tij. Ai liderin historik të demokratëve, e përshkruan si një njeri fals me një parti me veprime në falsitet.

“Askush nuk mund të flasë apo të shohë anëtarët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike që janë mbledhur sot”, shtjellon avokati.

Për të, ky Kuvend është një “turp kombëtar dhe falsitet për të ngritur një sistem fals”.

Ngjela ngre pikëpyetje të mëdha mbi verifikimin e mandateve të delegatëve.

“Po vendimin e gjykatës për lidërshipin e ri që do nxjerrë ky Kongresi, si do ta marrin këta, me falsitetin e tyre?!”, ngre pyetjen analisti.

Gazetari dhe analisti Spartak Ngjela

Ndërsa ai shpjegon se për ndërrimin e lidershipit, Berisha duhet t’i drejtohet Gjykatës.

“Janë lodhur kot”, shkruan Ngjela. “Ku ka gjykatës që legjitimon një kongres të paligjshëm të një partie”.

Ndërsa për një opsion të mundshëm të marrjes së partisë me forcë, ai thotë se kjo gjë është e pamundur.

“Asgjë nuk bëjnë dot; me forcë, të ushtruar për një çështje joligjore, po funksionoi Prokuroria e Posaçme, duhet të ketë arrestime. Të shohim se si do të shkojë ky kongres i falsifikuar”, përmbyll ai.

Komisioni i Kuvendit të Partisë Demokratike të 11 dhjetorit

Me një vendim të shkarkimit të Bashës, delegatët e Kuvendit, e përmbushën kërkesën tre-mujore të Berishës.

Gjithsesi, pyetja, vijon të shtrohet.

A ishte ky një Kuvend i rithemelimit të PD-së, apo i rithemelimit të kultit të berishizmit tek demokratët?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore