Lajme

Filipine/ Të mbijetuarit e torturave të epokës së Marcos-it, të tronditur pas fitores së të birit


Të mbijetuarit e regjimit brutal të diktatorit të ndjerë të Filipineve, Ferdinand Marcos, e kanë përshkruar fitoren e djalit të tij në zgjedhjet presidenciale si “produkt mashtrimi”.

Ata kanë paralajmëruar se nuk ka gjasa që miliardat e vjedhura nga familja e tij të rikuperohen dhe se të drejtat e njeriut në vend do të dobësohen.

Ferdinand Marcos Jr. ka fituar më shumë se 30.8 milionë vota në zgjedhje, më shumë se dyfishi i kundërshtarit të tij, avokatit të të drejtave të njeriut dhe zëvendëspresidentit aktual, Leni Robredo.

Ky i fundit ka bërë fushatë bazuar në transparencë dhe mirëqeverisje.

Ndërkohë, Marcos ka thënë se do të kapërcejë ndarjet politike në vendin e tij, duke u kërkuar njerëzve që ta gjykojnë nga veprimet e tij dhe jo nga paraardhësit.

Por, mesazhi i tij nuk i ka bindur të mbijetuarit, të cilët u torturuan dhe u burgosën gjatë sundimit 20-vjeçar të babait të tij.

Për ta, ai nuk ka gjasa të fitojë mbi kritikët që duan që familja t’i kthejë shumat e mëdha që mori nga arkat e shtetit.

Familja Marcos dhe mbështetësit e saj janë përpjekur të riemërojnë sundimin e diktatorit si një epokë të artë paqeje dhe prosperiteti.

Mediat sociale janë mbushur me pretendime të rreme në lidhje me familjen dhe kundërshtarët e saj, duke nxitur mediat dhe akademikët të nisin verifikimin e fakteve.

Të martën, turma njerëzish të veshur me të zeza u mblodhën përpara zyrës së Komisionit Zgjedhor për të protestuar kundër kthimit të familjes në pushtete, duke pretenduar se kishin mashtruar.

Por zyrtarët zgjedhorë kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulim, duke thënë se rezultatet u përpunuan më shpejt se në vitet e mëparshme, sepse pajisjet ishin përmirësuar.

Po ashtu, rezultatet përkonin me gjetjet e sondazheve të opinionit publik të kryera nga anketuesit në prag të zgjedhjeve.

Paçka se Marcos Jr. ka mohuar ekzistencën e ndonjë fushate të organizuar në internet, ai ka qenë përfituesi më i madh i pretendimeve të rreme që qarkullonin në mediat sociale.

Shumica e tyre ishin krijuar ose për të minuar reputacionin e Robredos ose për të përmirësuar imazhin e familjes së tij.

Të mbijetuarit e regjimit kanë frikë se kuptimi publik i periudhës, tashmë i shtrembëruar nga keqinformimet në internet, do të dëmtohet edhe më shumë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore