Sport

FIFA e miraton, sulmuesi i Arsenal-it do t’i përfaqësojë SHBA-të


FIFA e ka miratuar kërkesën e sulmuesit të Arsenal-it, Folarin Balogun, për ta t’i përfaqësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmuesi 21-vjeçar, i cili luajti për SHBA-në në nivelin nën 18-vjeç përpara se të kalonte në Angli, mund të përfaqësojë cilindo shtet pasi ka lindur në Brooklyn, Nju Jork, por shkoi në Londër kur ishte dy vjeç.

Rregullat e FIFA-s u mundësojnë lojtarëve të ndryshojnë përfaqësimin kombëtar përpara se të bëjnë një paraqitje konkurruese në nivel ndërkombëtar me Kombëtaren A.

Ai u thirr në skuadrën U-21 të Anglisë për ndeshjet e marsit kundër Francës dhe Gjermanisë, por u tërhoq për shkak të një dëmtimi në kofshë.

Me Kombëtaren U21 të Anglisë, Balogun numëron 13 ndeshje zyrtare, prej të cilave ka shënuar shtatë gola.

Balogun udhëtoi për në Orlando, ku SHBA-të po stërviteshin, para ndeshjeve të fundit ndërkombëtare.

Trajneri i përkohshëm i SHBA, Anthony Hudson pranoi se “diskutimet” ishin zhvilluar me sulmuesin gjatë pushimit ndërkombëtar të marsit.

Duke folur pas shpalljes së skuadrës së tij për ndeshjet ndërkombëtare të marsit, trajneri i Anglisë, Gareth Southgate tha se Balogun do të duhet të jetë i durueshëm në lidhje me një thirrje për ekipin e kombëtar të Anglisë.

“I takon lojtarit të peshojë ku ndihet zemra e tij”, tha Southgate. “A është ai i përgatitur të presë pak për një mundësi nëse mbështet veten dhe mendon se mund të futet në skuadrën tonë? Sepse kushdo që na ka ndjekur do ta dijë se ne do t’u japim një shans lojtarëve të rinj”, kishte thënë Southgate.

“Pra, ne nuk mund të shkojmë dhe t’i bëjmë thirrje për ekipin e parë dikujt vetëm sepse nuk duam që ai të shkojë diku tjetër”, kishte thënë trajneri i Anglisë, kur ai u pyet se pse Balogun nuk thirret nga ai për të mos shkuar në ndonjë kombëtare tjetër.

21-vjeçari bëri katër paraqitje për Kombëtaren U18 të SHBA-ve në vitin 2018, përpara se të vazhdonte të përfaqësonte Anglinë në nivele të ndryshme të të rinjve.

Balogun ka kaluar një sezon të mrekullueshëm me skuadrën e Reim (ku është i huazuar nga Arsenal-i), duke shënuar 20 gola dhe duke dhuruar tre asistime në 35 ndeshje në ligë dhe në kupë.

Vlen të theksohet se ai e kishte shok skuadre sulmuesin e Kosovës, Arbër Zenelin. Por, Balogun pritet të rikthehet te Arsenal-i për sezonin e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore