Libra

Festivali i Letërsisë “ZaNa” nis sonte, poetet shpalosin pak nga befasitë e mbrëmjes


Mbrëmja e 9 qershorit do të sjellë në Kosovë, Festivalin e Letërsisë “ZaNa”, derisa ngjarja është planifikuar të nis duke filluar nga ora 19:00.

Evenimenti do të mbahet në hapësirat e Muzeut të Mitrovicës, e nikoqire për të pranishmit do të jetë Zana Hoxha.

Kushtuar letërsisë, kjo ngjarje kulturore do të jetë e mbushur me aktivitete nga më të ndryshmet, përfshirë lexim të poezive si dhe performanca muzikore.

E kur jemi tek poezitë, pjesë e festivalit do të jetë edhe grupi i shkrimit kreativ “Za”, teksa tema e këtij eventi për këtë vit është “Kush jam unë” – me anë të së cilës synohet nxitja e reflektimit në vetvete.

Ndër përfaqësueset e “Za”, do të jenë poetet Gentiana Shyti dhe Eglantina Avdiu – të dyja bashkë do të prezantojnë pranë të ftuarve poezi të përzgjedhura.

Poetja Shyti në një intervistë për Albanian Post ka renditur arsyet që e shtynë atë të zhytet në botën unike të letërsisë.

“Pasioni që kam për shkrimin, më ka motivuar mjaftueshëm që të marr pjesë fillimisht në punëtori, pastaj të angazhohem në zhvillimin e aftësive letrare, mësimin e teknikave të interpretimit, shkrimit të poezive dhe çdo aspekt e teknikë tjetër që më mundëson përsosmërinë në këtë fushë”, thotë Shyti.

Dashuria për shkronjat e letërsinë duket t’i ketë lindur që nga fëmijëria poetes tjetër të grupit “Za”, Eglantina Avdiut.

Kjo e fundit thotë se anëtarësimi në grupin “Za” i ka dhënë asaj mundësinë që të eksplorojë më tutje në këtë sferë të thellë të artit.

“Që nga fëmijëria gjithmonë e kam dashur fjalën e shkruar. Më kanë pëlqyer shkrimet, veçanërisht poezitë. Duke qenë pjesë e një grupi që ndan dashurinë e njëjtë për poezinë, më ka lejuar të zhytem edhe më thellë në bukurinë dhe fuqinë e saj”, shprehet Avdiu.

“Përmes punëtorive me grupin e shkrimit kreativ ‘Za’ dhe duke interpretuar poetë të ndryshëm, kemi mësuar të vlerësojmë më tepër mjeshtërinë, gjuhën dhe emocionet që përcjellën përmes fjalëve”, shton ajo.

Dyshja, bashkë me vajzat e tjera të grupit, do të interpretojnë poezitë nga 12 autorët fitues të shpallur nga thirrja e hapur e këtij edicioni për poezi, e cila ka rezultuar goxha e suksesshme, duke pranuar një numër rekord aplikimesh, saktësisht 180 sosh me poetë nga i tërë Ballkani.

Eglantina Avdiu dhe Genta Shyti.

Sipas Eglantinës, Festivali i Letërsisë “ZaNa” ka sjellë një frymë të re dhe ka ngritur interesimin e audiencës për këtë formë të artit, e cila që nga edicioni i parë vetëm po vazhdon të rritet.

Ngjashëm shprehet edhe Gentiana.

“Ka audiencë të mjaftueshme, jo vetëm në këtë festival, por në përgjithësi në organizimet kushtuar letërsisë. Mungesë nuk shënon as vlerësimi”, thotë ajo.

Poetet e reja na bënë me dije se akoma disa orë pa filluar festivali veçse janë pushtuar nga emocionet, kështu që ne iu uruam fat!

Përndryshe,  përpos grupit “Za”, poezitë fituese do t’i interpretojnë edhe aktorët përfshirë: Xhejlane Tërbunjën, Fisnik Istrefin, Njomza Tmavën.

Po ashtu, në kuadër të mbrëmjes do të ketë performancë muzikore nga Ansambli “Zana” i përbërë nga Adelina Thaqi-Meta, Diellza Sylejmani, Albana Piperku Sheapi, Arstina Kadiu-Kelmendi dhe Elida Kryeziu-Hoti.

Ky aktivitet është përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore