Boterori 2022

Festë në rrugët e Iranit pas eliminimit nga Kupa e Botës


Humbja e Iranit në Kupën e Botës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës u prit me brohoritje dhe festime në Teheran dhe qytete të tjera iraniane të martën në mbrëmje, ndërsa protestuesit e përshëndetën eliminimin e vendit të tyre nga turneu si një goditje për regjimin në pushtet.

Atë e kanë bërë protestuesit anti-qeveritar, duke festuar eliminimin e shtetit të tyre.

Në videot e postuara në rrjetet sociale janë shfaqur qytetarë duke vallëzuar në rrugë, pasi që shumë iranianë kanë refuzuar ta mbështesin ekipin e tyre në këtë Botëror që po mbahet në Katar.

Por, ka shqetësime për sigurinë e lojtarëve iranianë që kthehen në shtëpi përtej Gjirit Persik, pasi ekipi fillimisht refuzoi të këndonte himnin kombëtar të Iranit përpara ndeshjes së tyre të parë ndaj Anglisë. Mos këndimi i himnit duket se ishte shprehje e solidaritetit me protestuesit.

Por, në ndeshjen pasuese me Uellsin, që e fituan 2:0, ata kënduan himnin kombëtar.

Disa protestues e panë këtë si tradhti ndaj kauzës së tyre edhe pse kishte raportime se lojtarët kishin qenë nën presion nga autoritetet iraniane.

“Jam i lumtur, kjo është humbja e qeverisë ndaj njerëzve”, i tha CNN të mërkurën një dëshmitar i festimeve në një qytet në rajonin kurd, të cilin CNN nuk po e përmend për shkaqe të sigurisë.

Në Iran ka trazira për 10 javë rresht, që nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit, 22-vjeçares që u arrestua në Teheran nga policia nën akuza për shkelje të rregullave të hixhabit.

Autoritetet iraniane kanë fajësuar “forcat e huaja” për mbështetjen e protestave anti-qeveritare në Iran dhe i kanë shtypur ato me forcë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se deri më tani, të pakën 450 persona janë vrarë në protesta, përfshirë 60 fëmijë. Ndërkaq, mbi 18 mijë të tjerë raportohet se janë arrestuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore