Shqipëria

Fermerët në protestë, bllokojnë aksin Berat-Lushnje dhe hedhin prodhimet në rrugë


Sindikata e fermerëve ka zhvilluar mesditën e kësaj të hëne një protestë në vendin e quajtur “Ura e Kuçin”, në kufirin ndarës mes Beratit e Fierit.

Ata mësohet se kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje dhe kanë hedhur në rrugë edhe prodhimet e tyre në shenjë indinjate.

Po ashtu ka pasur edhe tensione të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë.

Policia sakaq është përpjekur të pengojë bllokimin e rrugës nga protestuesit.

Fermerët kanë deklaruar se ata po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të diskriminimit dhe mungesës së kontrollit nga shteti të pikave të grumbullimit, që prodhimet e tyre i marrin me çmime qesharake dhe pa fatura tatimore.

Puna dhe mundi, sipas tyre, po shkon dëm. Kjo pasi e kanë të pamundur të nxjerrin shpenzimet e kultivimit të prodhimit, blerjes së farave dhe pesticideve.

Fermerët kanë deklaruar gjithashtu se kjo gjendje e rënduar po i detyron t’i hedhin prodhimet e tyre kanaleve, pasi duke mos u shitur kalben.

Ata kanë deklaruar edhe se protestat e tyre do të vazhdojnë teksa i bëjnë apel Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit t’i japin zgjidhje kësaj situate të rënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore