Lajme

Ferma e parë e oktapodëve në botë pritet me shqetësim


Hapja e fermës së parë tregtare të oktapodëve në botë është pritur me shqetësim nga shkencëtarët dhe konservatorët.

Për ta, krijesa të tilla “të ndjeshme”, të konsideruara si të afta për të ndjerë dhimbje dhe emocione, nuk duhet të rriten kurrë për ushqim.

Por loja me një oktapod gjigant të Paqësorit është pjesë e punës së Stacey Tonkin, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Këtë, sa herë ajo ngre kapakun e rezervuarit për të ushqyer krijesën që shpesh del nga shpella e tij për ta parë dhe ngjitur krahët e tij në gotë.

Oktapodët jetojnë rreth katër vjet dhe në moshën njëvjeçare ata janë të barabartë me moshën e një adoleshenti.

“Ai shfaq atë që do të prisnit nga një adoleshent, disa ditë ai është me të vërtetë i inatosur dhe fle gjithë ditën. Më pas, ditët e tjera ai është me të vërtetë lozonjar dhe aktiv”, ka thënë ajo.

Stacey është një nga pjesëtaret e ekipit prej pesë akuaristësh në Bristol Aquarium.

Mbajtësit e ushqejnë oktapodin me midhje dhe karkaleca deti dhe copa peshku, si dhe gaforre.

Ndonjëherë ata e vendosin ushqimin në një lodër qeni që ai ta ngacmojë me tentakulat e tij, në mënyrë që të mund të praktikojë aftësitë e vet të gjuetisë.

Ajo ka treguar se ngjyra e tij ndryshon me disponimin e tij.

Sipas Stacey-t, oktapodi tregon inteligjencën e tij përmes syve të tij. “Kur ju e shikoni atë dhe ai ju shikon ju, mund të ndjeni se ka diçka aty”, ka shtuar ajo.

Niveli i ndërgjegjësimit që Stacey e dëshmon njihet në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar përmes një ndryshimi në Projektligjin për Mirëqenien e Kafshëve.

Ndryshimi ka ardhur pasi një ekip ekspertësh analizoi më shumë se 300 studime shkencore dhe arriti në përfundimin se oktapodët ishin “qenie të ndjeshme”.

Gjithashtu ata zbuluan se kishte “prova të forta shkencore” që ata mund të përjetonin kënaqësi dhe gëzim, por edhe dhimbje, shqetësim dhe dëm.

Autorët kanë pohuar se ishin “të bindur se kultivimi i oktapodëve me mirëqenie të lartë ishte i pamundur” dhe qeveria “mund të konsideronte një ndalim të oktapodit të kultivuar të importuar” në të ardhmen.

Por “BBC” dallon se  tentakulat e oktapodit kërcasin në tigan, rrotullohen në pjata dhe notojnë në supa anembanë botës, nga Azia në Mesdhe dhe gjithnjë e më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Korenë e Jugut, krijesat ndonjëherë hahen të gjalla.

Ndërkaq, numri i tyre në natyrë po zvogëlohet dhe çmimi po rritet. Afro  350 mijë ton kapen çdo vit, 10 herë më shumë se numri i kapur në vitin 1950.

Në këtë sfond, gara për të zbuluar sekretin e mbarështimit të oktapodit në robëri ka vazhduar për dekada.

Mirëpo, planet e kompanive janë denoncuar nga një grup ndërkombëtar studiuesish si “të pajustifikuara nga pikëpamja etike dhe ekologjike”.

Grupi Compassion in World Farming (CIWF) u ka shkruar qeverive të disa vendeve, duke u kërkuar atyre ta ndalojnë këtë.

Elena Lara, menaxhere e kërkimit, ka thënë se “këto kafshë janë të mahnitshme. Ato janë të vetmuara dhe shumë të zgjuara. Pra, t’i vendosësh në tanke shterpe pa stimulim njohës është e gabuar”.

Oktapodët kanë tru të madh dhe kompleks.

Inteligjenca e tyre është vërtetuar në eksperimente të shumta shkencore. Ata janë vëzhguar duke përdorur guaska deti për t’u fshehur dhe mbrojtur dhe kanë treguar se mund të mësojnë shpejt të vendosin detyra.

Ata gjithashtu kanë arritur të shpëtojnë nga akuariumet dhe të shpëtojnë nga kurthet e vendosura nga njerëzit që i peshkonin.

Për më tepër, ata nuk kanë skelete për t’i mbrojtur dhe janë shumë territorialë. Pra, ata mund të dëmtohen lehtësisht në robëri.

Nëse ferma e oktapodëve hapet në Spanjë, duket se krijesat e vendosura atje do të kenë pak mbrojtje sipas ligjit evropian.

Ato konsiderohen si qenie të ndjeshme, por ligji i Bashkimit Evropian që mbulon mirëqenien e kafshëve në fermë zbatohet vetëm për vertebrorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore