Lajme

Ferid Agani dhe Gani Shabani sërish rigjykohen për korrupsion


Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në seancë gjyqësorë në rastin e ngritur kundër tij “Stenda 1”

Ish ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish sekretari i këtij dikasteri, Gani Shabani, të premten e 15 prillit sërish do të paraqiten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për të u ballafaquar me akuza për korrupsion sa ishin në krye të ministrisë së Shëndetësisë.

Agani dhe Shabani, ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Një nga seancat gjyqësore për rastin “Stenda 2”

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë.

Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore