Sport

Fenerbahçe shtyn vendimin për tërheqjen nga kampionati


Presidenti i Fenerbahçe-s, Ali Koç ka bërë të ditur se ka lënë mënjanë mundësinë e tërheqjes nga kampionati të paktën deri në asamblenë e përgjithshme që do të mbahet pas tre muajsh.

Duke folur në mbledhjen e përgjithshme të jashtëzakonshme të klubit, presidenti Koç tha: “Në të gjitha diskutimet tona, vendimi më pak i preferuar dhe i konsideruar si opsioni i fundit ishte tërheqja nga kampionati. Jemi duke vlerësuar mundësinë e tërheqjes nga kampionati deri në asamblenë e përgjithshme pas tre muajsh”.

Koç foli me mbi 22 mijë tifozët që mbërritën në stadiumin “Sukru Saracoglu”, duke u shprehur se aktivitetet e futbollit do të vazhdojnë.

“Nuk po mendojmë fare të pezullojmë aktivitetet e futbollit në këtë moment. Sepse ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, u tha ai tifozëve.

“Ndërprerja e aktiviteteve do të thotë të fillojmë sërish nga kampionati amatore”, shtoi ai. “Unë dhe miqtë e mi qëndrojmë dhe nuk përkulemi. Tërheqja nga kampionati është një nga opsionet më ekstreme”.

Lidhur me ndeshjen e Superkupës, numri një i Fenerbahçe-s ka shpjeguar: “I kam thirrur dy herë tifozët tanë. Mos e planifikoni udhëtimin tuaj dhe mos blini bileta deri në mbrëmjen e 2 prillit. Unë jam duke bërë të njëjtën gjë përsëri. Mos planifikoni udhëtimin, mos rezervoni biletat e Superkupës”.

Pse Fenerbahçe kërkoi largimin nga Superliga

Në mars, 19-herë fituesit e titullit thanë se do të konsideronin tërheqjen nga liga pasi lojtarët e tyre u sulmuan nga tifozët e Trabzonspor-it.

Fenerbahçe fitoi ndeshjen 3-2 dhe tifozët e Trabzonspor-it u futën në fushë, duke sulmuar forcat e sigurisë dhe lojtarët.

Tensionet filluan të rriteshin kur ish-sulmuesi i Chelsea-t, Michy Batshuayi shënoi golin e fitores në minutën e 87-të, me objekte të hedhura në fushë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se incidentet ishin “absolutisht të papranueshme”.

Federata Turke e Futbollit i quajti ngjarjet “të papranueshme” dhe tha në një deklaratë se “sanksionet e nevojshme penale do të vendosen ndaj atyre që janë përgjegjës për këto incidente”.

Një ditë më vonë, Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya tha se 12 tifozë ishin arrestuar.

Fenerbahçe është i dyti në Superligë pas 30 ndeshjesh, dy pikë prapa liderit Galatasaray.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore