Shqipëria

Feja e shqiptarit, është Luizmi


Kanë shumë për t’u shqetësuar e për ta munduar veten shqiptarët kohët e fundit.

Prej disa ditësh, problemet kanë qenë të shumta duke nisur nga reshjet e shiut e borës, nga veriu deri në jug.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë kallëzuar në SPAK nga Qeveria, për krim shtetëror për protestën e 21 janarit 2011, protesta më e përgjakshme e dekadës së shkuar në Shqipëri, me katër viktima.

Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, po e gjykojnë me themel, deri në Kushtetuese, për heqjen e mandatit për shkak të konfliktit të interesit.

U bë me dije se kush do të jetë edhe ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri këto ditë.

Madje, po në SHBA, një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, u arrestua dhe është nën akuzë për lidhje me një oligark rus dhe është mik me kryeministrin shqiptar.

Të mos ishte Luiz Ejlli në Big Brother, një nga këto pesë çështje – kur ka plot të tjera – do të merrte të paktën një fraksion vëmendje.

Deri në gju me ujë ishte një qytetar në rrethinat e Shkodrës, kur një gazetare e televizionit ku transmetohet “Big Brother-i” i Luizit, e pyeti si ishte gjendja.

“O as nuk e kemi hiç mendjen këtu. Shyqyr këto tre muaj të kemi atë Big Brother. Të na rrojë Luizi”, i tha ai me një buzëqeshje rrëzëlluese dhe dialekt shkodran të pastër asaj.

Nuk ke çfarë i bën në fakt kur frymori kthehet në kult.

Në rrugë informale, ka informata madje se një libërth i vogël gjysmë imagjinar, me kapak të zi, një kokë të Luizit të prerë keqazi me “photoshop” ku ai flokët i ka platin dhe ku mbi të me germa të arta shkruhet “Luizmi”, po qarkullon me shpejtësi të madhe.

Aty brenda, me pika, shkruhen disa rregulla.

1. Luizmi është i themeluar mbi vlerat dhe antivlerat që tejçohen nga dishepulli hermafrodit (gjysmë ëngjëll, gjysmë djall), Luiz Ejlli, në përditshmërinë e tij.
2. Kush nuk mëton se Luizi ka gjithnjë të drejtë dhe është personi i vetëm, i cili meriton adhurimin e të gjithëve, nuk mundet të jetë pjesë e Luizmit.
3. Kush i bën gropën Luizit, i bën gropën vetes dhe të tjerëve me të.
4. Nuk je një “luizt’ i vërtetë nëse nuk ofendon ata të cilët janë kundër Luizit.
4.1. Referuar pikës 4, edhe ata të cilët janë neutral dhe nuk kanë gajle për Luizin, duhen ofenduar, por me karar.
5. Hallet dhe shqetësimet i zgjidh vetëm Luizmi, ndaj është mirë që ai të ndiqet rigorozisht në çdo çast të ditës.
6. Mos u merr me punët e tua. Merru me punët e Luizit.
7. Ata nën 18 vjeç, duhen identifikuar si “çapaçula” deri në arritjen e moshës madhore (mendore).
8. Mashtrimi dhe gënjeshtra janë të përligjura, për sa kohë fiton diçka prej tyre.
9. Kush sjell në “Luizëm” një mik, fiton një mik “luizt”.
10. Meshat mbahen çdo të martë dhe të shtunë, me fillim në orën 21:00 dhe mund të përmbyllen me festa, me kusht që atje të përflitet se çfarë ngjau gjatë meshës.
11. Nëse i bashkohesh Luizmit, nuk ke detyrime shtesë kundrejt asnjë religjioni tjetër, mund të konsumosh çfarëdo pije dhe çfarëdo ushqimi të mundesh, mund të kesh sa gra të duash dhe mëkati i vetëm, është të mos njohësh Luizin si më i miri në absolut.

Doemos të gjithë, ky fraksion i ri fetar i tërheq me thjeshtësi, pasi përfitimet janë shumë më të larta se ato të zakonshme.
Problemi i vetëm praktikisht, shfaqet me një minorancë thuajse të padukshme, e cila është kundër fenomenit mediatik, por kjo do të rregullohet.

Politikanë të lartë, po luftojnë madje për ta bërë të mundur këtë gjë.

I pari në radhë ishte Sali Berisha, ish-kryeministër dhe kryetar aktual i Partisë Demokratike. I shkoi buza nga cepi më cep, kur në një studio televizive ia përmendën se si Luizi kishte ngritur dolli për të.

“Është një demokrat i njohur në të gjitha qëndrimet e tij” ia tha gazetares pa hezituar hiç, për të treguar mbështetjen e fortë ndaj Ejllit.

Persona të tjerë të njohur, nga politika, media, apo në rrafshe të caktuara, e kanë deklaruar hapur edhe ata, se i janë bashkuar kultit.

Madje, edhe vetë brenda shtëpisë, si pa e kuptuar, banorët e tjerë janë rrethuar me lëvizjen dhe e nxorën nga një dhomë, ku ai ishte në izolim.

U bënë më në fund bashkë shqiptarët, nën emblemën e Luizmit, duke i lënë mënjanë Kisha e Xhamia.

Feja e shqiptarit – ajo e vërteta – është Luizmi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore