Kosova

Federata Evropiane e Gazetarëve dënon sulmet ndaj gazetarëve në Mitrovicën Veriore


Gazetarët duke raportuar nga Veriu i Kosovës

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), përmes një njoftimi i është bashkuar thirrjes së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), për dënimin e sulmeve të dhunshme ndaj gazetarëve në Veri të Mitrovicës dhe iu ka bërë thirrje organeve kompetente të ofrojnë mbrojtje për ta.

Kjo pas tensioneve në Veri ku Policia e Kosovës ndërmori një operacion kundër kontrabandës së mallrave.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, ka thënë se gazetarët “duhet të jenë në gjendje të raportojnë nga terreni për t’u siguruar qytetarëve informacion të besueshëm dhe të saktë mbi këto ngjarje”.

“Është shqetësuese të mësosh se disa gazetarë duhej të largoheshin sepse ishin në shënjestër dhe kishin frikë për sigurinë e tyre. Iu bëjmë thirrje autoriteteve të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i lejuar profesionistët e mediave të raportojnë në mënyrë të sigurt sa më afër ngjarjeve të jetë e mundur”, është shprehur ai.

Përveç protestuesve e policisë që kanë pasur përplasje me mjete shpërthyese, të sulmuar kanë qenë edhe gazetarët.

Në videon e siguruar nga Albanian Post shihet një mjet i hedhur në drejtim të tyre dhe një shpërthim i fuqishëm.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke shprehur “shqetësim për sigurinë e gazetarëve në terren”.

“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore