Lajme

FBI, nën presion për uljen e krimeve të urrejtjes racore


Pas ngjarjeve që ndodhën në SPA në Atlanta, Georgia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), agjencitë federale dhe lokale të zbatimit të ligjit janë nën presion, që të rrisin përpjekjet për të luftuar valën në rritje të krimeve të urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve.

Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe forcat e tjera të policisë po përballen me kritika për raportimet e krimeve të urrejtjes, të cilat mbeten shumë të ulëta.

Të martën, më 17 mars, në tri qendra masazhesh, u lanë të vdekur tetë njerëz, gjashtë prej të cilëve gra me origjinë aziatike.

Deri më tani nuk raportohet arsyeja e saktë së përse vrasësi e kreu këtë akt. Por, sipas disa raporteve, mendohet se mund të ketë qenë më shumë e natyrës seksuale sesa racore.

Pas gjuhës së urrejtjes të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili fajësonte Kinën për përhapjen e virusit, frika tek aziatiko-amerikanët u rrit.

Ndërkohë, presidenti aktual Joe Biden deklaroi se administrata e tij është e shqetësuar për këtë akt brutal.

“Unë njoh shumë aziatiko-amerikanë, të cilët janë të shqetësuar për dhunën e shkaktuar ndaj tyre. Prandaj ngelet shqetësuese dhe për ne brutaliteti kundër tyre”.

Në javën e tij të parë në detyrë, presidenti nënshkroi një urdhër-ekzekutiv, për luftimin e racizmit dhe ksenofobisë kundër aziatiko-amerikanëve dhe ishujve të Paqësorit. Ligji dënon “retorikën inflamatore dhe ksenofobike”, pa përmendur emrin e Trump-it.

Nga rezultati i statistikave të FBI-së, për krimet e urrejtjes për vitin 2019, një total prej 4 mijë e 930 viktimash u identifikuan për shkak të racës ose përkatësisë etnike.

4.4% prej tyre ishin viktima të paragjykimit anti-aziatik, ndërsa 48.5% kundër racës së njerëzve me ngjyrë të zezë dhe 14.1% e paragjykimit për anti-hispanikët.

Të dhënat u pranuan gjerësisht si një nënvlerësim i madh i krimit të urrejtjes në Amerikë sot, përfshirë edhe aziatiko-amerikanët.

Udhëheqësit e komunitetit aziatiko-amerikan shprehën shqetësimin se diskriminimet dhe ngacmimet ndaj komuniteteve të tyre nuk po minimizohen aty ku duhet, edhe pse po lobohet historikisht kundër kësaj.

“U desh që të vdisnin gjashtë gra aziatike amerikane, që njerëzit të bëheshin më të vëmendshëm  kësaj”, tha për mediat drejtori ekzekutiv i Forumit Kombëtar të Grave Aziatiko-Amerikane (NAPAWF).

Pothuajse 90% e organizatave të zbatimit të ligjit, të përfshira në studimin e krimeve të urrejtjes për vitin 2019, nuk raportuan fare incidente. Një paraqitje e vakët, që shumë mbështetës të të drejtave civile e konsiderojnë të pabesueshme.

Për më tepër, një raport federal i lëshuar në shkurt zbuloi se më shumë se 40% e krimeve të urrejtjes nuk raportohen kurrë tek autoritetet.

Një ish-agjent i fshehtë i FBI-së, Michael German, theksoi se midis vitit 2017 dhe 2018, nga një studim i Departamentit të Drejtësisë, ka pasur 230 mijë krime të dhunshme të urrejtjes.

Në mungesë të ndonjë figure zyrtare të besueshme, grupet aziatiko-amerikane janë përpjekur të plotësojnë boshllëkun duke mbledhur vetë të dhëna.

Në prag të të shtënave në Atlanta, grupi Stop AAPI Hate lëshoi ​​një raport të ri, ku paraqiten 3 mijë e 795 incidente të ngacmimeve verbale, sulmeve fizike, diskriminimit në vendin e punës dhe formave të tjera të paragjykimit që ndodhën gjatë pandemisë.

German tha që, pas sulmeve në Atlanta, departamenti i drejtësisë tani do të ishte në qendër të vëmendjes.

“Garland do të jetë nën presion për të bërë më shumë. Publiku është i shqetësuar për krimet e urrejtjes dhe ngritjen e konsiderueshme të dhunës kundër aziatiko-amerikanëve”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore