Stil

Fati, në dorën e bizhuve?


Nëse fati nuk ka qenë me ju kohët e fundit, mund të keni nevojë për një hajmali që mund t’ua rikthejë.

Shitësit e tyre të paktën, betohen se hajmalitë që ata shesin kanë këtë fuqi fatsjellëse.

Mbase u kanë rënë në sy disa biznese që tregtojnë bizhuteri të  tilla.

E, për aq kohë sa numri i tyre po shtohet, edhe numri i qytetarëve që shkojnë drejt blerjeve të tilla sa vjen e rritet.

Varëse, byzylykë, unaza apo gurë, janë gjithçka gjeni nëpër dyqanet e “fatit”.

Shitësit tregojnë për Albanian Post që disa prej blerësve duan hajmali specifike, sepse edhe duan fat për diçka të veçantë.

“Ka raste ekstreme: dua një byzylyk për të më dalë letrat”, i kishte thënë një herë një blerës, Eglas, vajzës që shet hajmalitë.

Ka dhe të tjerë që paraprakisht e pajisin shitësin me disa informacione, me idenë që më pas t’u ofrohet një bizhuteri që mbulon terrenin e shqetësimeve të tyre, tregon Elona, një tjetër shitëse, për Albanian post.

“Ka njerëz që vijnë dhe thonë cilësitë e tyre. Jam filan shenjë, kam filan karakteristikë dhe jam në këtë gjendje emocionale. Të lutem më gjej byzylykun që më përshtatet”, shprehet Elona.

Përveç blerësve që u besojnë fuqive mistike të hajmalive, njëjtë është edhe për shitësit.

Ata shprehen se gjithçka ka të bëjë me energjitë që personifikojnë produktet në bazë të materialit, ngjyrës apo formës.

Ky është një trend që, prej vitesh, ka hyrë në Shqipëri.

Ndonjëherë këto bizhuteri bëhen pjesë e përditshmërisë dhe krijohet një lidhje e fortë psikologjike.

“Kam filluar të besoj duke lexuar në internet, në disa faqe të huaja. Besoj se më shumë është psikologjike, por më pas kthehet në varësi e nis të besosh tek energjia që këto bizhu apo gurë përcjellin”, thotë Ana, kliente prej kohësh e këtyre produkteve.

Kush mendon se ky është një trend vetëm për femrat, gabohet.

Shitëset konfirmojnë që tashmë është krijuar dhe koleksioni i meshkujve. Djemtë, po aq sa vajzat duan të kenë fat.

Por, aksesorët nuk janë të vetmet që shqiptarët kanë filluar të besojnë.

Gurët e çmuar, në varësi të shenjës së horoskopit, janë bërë po ashtu mjaft të përdorura.

Gurët e çmuar grupohen sipas ngjyrave dhe funksionit që ato luajnë në gjendjen shëndetësore e psikike te njeriut.

Por, grupimi më i fundit i rendit ata edhe sipas shenjave të horoskopit.

Përkatësitë specifike të gurëve e të kristaleve dhe efektet e tyre, nëpërmjet kristalterapisë, u zbuluan mijëra vjet më parë.

Por, me sa duket, tashmë janë rikthyer në përdorim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore