Sport

Fati i Simone Inzaghi varet nga Barcelona


Simone Inzaghi duket si një boksier që gjendet në cepin e ringut duke priturt grushtat e kundërshtarit. Ai qëndron duke mbuluar fytyrën sepse nuk gjen kohë për të sulmuar dhe pret vetëm gongun përfundimtar të arbitrit.

Inter ka humbur pesë nga 10 ndeshjet e këtij sezoni. Ata kanë katër fitore në Serie A, por kundrejt kundërshtarëve të lehtë në letër.

Aktualisht Inter-i nuk duket gati për t’u përballur me Milan-in dhe Napoli-n përsa i përketë garës për titullin në Serie A.

Sipas të gjitha gjasave, fati i trajnerit zikaltër, Inzaghi, do të varet pikërisht nga ndeshja e kësaj të marte përballë Barcelona-s në Champions League.

Zikaltrit kanë humbur këtë sezon ndaj gjithë ekipeve të mëdha që janë përballur, në Serie A dhe Champions. Në kampionat janë mundur përkatësisht: 3-2 nga Milan, 3-1 nga Lazio, 3-1 nga Udinese dhe 2-1 nga Roma. Ndërsa, në Champions u mposhtën 2-0 nga Bayern Munich në “Giuseppe Meazza”.

Ndeshja ndaj Barcelona-s shikohet dhe si vendimtare për fatin e Inter-it në Champions League. Kjo pasi katalanasit deri më tani shikohen si kundërshtari i vetëm me të cilin ata do të duelojnë për vendin e dytë në grup, pasi Bayern duket më superior dhe Viktoria Plzen e pafuqishme.

Në rast të një disfate të rëndë, Inzaghi mund të shkarkohet menjëherë pas ndeshjes, ndonëse Beppe Marotta dhe presidenti Steven Zhang nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.

Një “nokaut” do të ishte dramatik dhe mund të sillte disa zgjedhje të papritura nga ana e klubit pavarësisht situatës financiare që po kalon Inter-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore