Fantazma e Mynihut – 84 vite nga fjalimi i Hitlerit mbi Çekosllovakinë

SHFLETO

Adolf Hitler

 

Armat Matoshi
27.09.2022 8:00
Loading Icons...

Pas Luftës së Parë Botërore, harta e Evropës ndryshoi, kufijë tjerë u vendosën duke u formuar kështu edhe disa shtet/kombe të reja.

Austro-Hungaria u copëtua dhe tre milionë gjermanë etnikë e gjetën veten duke jetuar në shtetin e ri të Çekosllovakisë.

Më 26 shtator të vitit 1938, Adolf Hitler, iu drejtua popullit gjerman me anë të një fjalimi nga “Salla e Sportit” në Berlin, duke kthyer vëmendjen te popullsia gjermane që jetonte në këtë pjesë, që në atë kohë quhej “Sudetenland”.

“Sot dëgjova zërin e Adolf Hitlerit”, shkruante në këtë ditë autori dhe gazetari amerikan, Edward Robb Ellis, dhe shtonte në ditarin e tij: “Oratoria e tij është aq kërcënuese sa ai të ngrinë gjakun”.

Neville Chamberlain dhe Adolf Hitler, 1938

Gjatë këtij fjalimi, Hitleri kishte shpalosur thelbin e ideologjisë naziste, pra synimin që të kapërcente pavarësinë e shteteve dhe të krijonte një shoqëri homogjene gjermane të bazuar në pastërtinë racore.

“Duke tundur flamurin e së drejtës për vetëvendosje të popujve, Evropa Qendrore u copëtua në vitin 1918, ndërsa disa shtetarë të çmendur vendosën të rivizatonin peizazhin politik. Të atomizuara dhe të ndara, shtetet e reja u krijuan në mënyrë arbitrare, duke shpërfillur plotësisht origjinën e popujve të tyre, dëshirat e tyre kombëtare dhe nevojat ekonomike”, deklaronte ai.

“Sudetenland” që nga shekulli IX kishte qenë pjesë integrale e shtetit çek – gjeografikisht dhe politikisht. Mirëpo, Hitleri nuk mundej asesi të pajtohej që gjermanët të jetonin jashtë “Rajhut III”.

Edvard Benes, presidenti i Çekosllovakisë

“Unë nuk do të kisha të drejtë të shfaqesha në analet e historisë gjermane, po t’i kisha braktisur në mënyrë të pahijshme këta dhjetë milionë gjermanë dhe fatin e tyre. Unë nuk do të kisha legjitimitetin moral të isha ‘Fyhreri’ i këtij populli”, shprehej ai duke premtuar se pas aneksimit të kësaj pjese do ta ndalte fushatën ekspansioniste të Gjermanisë naziste.

“Është kërkesa e fundit territoriale që do të bëj në Evropë. Është një kërkesë për të cilën do të insistoj dhe një kërkesë që do ta realizojë”.

Gjermania naziste kishte filluar një luftë me intensitet të ulët ndaj Çekosllovakisë më 17 shtator 1938, kurse Mbretëria e Bashkuar dhe Franca më 20 shtator i kërkuan zyrtarisht Çekosllovakisë që t’ia lëshonte këtë pjesë të territorit Hitlerit, gjë që u pasua nga kërkesat territoriale polake të paraqitura më 21 shtator dhe hungareze më 22 shtator.

“Unë vetë jam ushtar i vijës së parë dhe i di vështirësitë e luftës. Dua t’i kursej popullit gjerman këtë përvojë. Unë iu afrova çdo problemi me vendosmëri, bëra çdo gjë që të sjellë zgjidhjen paqësore”, shprehej diktatori.

Megjithatë, ai kishte përkrahje edhe nga udhëheqësi fashist i Italisë, Benito Musolini.

“Ne shohim vetëm një fuqi të madhe në Evropë e udhëhequr nga një njeri që e kupton dëshpërimin e popullit gjerman. Është miku im i madh, Benito Musolini. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ai ka bërë për ne në këto kohë të vështira dhe se si po na qëndron afër populli italian”.

Më 13 shtator, pas dhunës së brendshme dhe përçarjes në Çekosllovaki, kryeministri konservator i Mbretërisë së Bashkuar, Neville Chamberlain, i kërkoi Hitlerit një takim personal për të gjetur një zgjidhje për të shmangur luftë.

Më 30 shtator 1938, Mretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca nënshkruan “Marrëveshjen e Mynihut”, e cila lejonte aneksimin dhe pushtimin ushtarak të “Sudetenland” nga Gjermania naziste.

Pavarësisht se shumë çekë e shohin “Marrëveshjen e Mynihut” si pjesë të një “tradhëtie perëndimore”, disa studiues dhe historianë sugjerojnë se marrëveshja mund të ketë qenë një rezultat çuditërisht pozitiv për Çekosllovakinë.

Hyrja e ushtrisë naziste në Sudetenland, Çekosllovaki

Ata argumentonin se, nëse lufta do të kishte shpërthyer në vitin 1938, Çekosllovakia do të ishte përballur me një shkatërrim të ngjashëm me atë të Polonisë një vit më vonë.

Sot, ky vendim i Chamberlain portretizohet përgjithësisht si “budallallëk”, i cili gaboi kur u përpoq ta zbuste “qenin e tërbuar” të Evropës – një vendim paralajmërues për çdo lider aq budalla sa të preferojë negociatat në vend të konfrontimit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, fjalët “Mynih” dhe “zbutje” përdoren shpesh kur kërkohet veprim i drejtpërdrejtë, shpesh ushtarak, për të zgjidhur një krizë ndërkombëtare duke karakterizuar një kundërshtar politik që negociatat i sheh si dobësi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, “Sudetenland” iu kthye Çekosllovakisë, e cila dëboi shumicën e banorëve gjermanë dhe ripopulloi zonën me çekë.