Lajme

Familjet nomade digjitale nuk janë më aq të pakta


Ideja se udhëtimi ofron përvoja të vlefshme pranohet gjerësisht.

Megjithatë, deri kohët e fundit, udhëtimet e gjata janë parë përgjithësisht për rioshët përpara se të vendosin ku të qëndrojnë ose për të moshuarit.

Eksperienca e nomadëve digjitalë ka pasur kah vetes edhe një stereotip: 20-vjeçarë me çanta shpine, të zënë me laptopët e tyre në baret e plazhit.

Por tani gjërat po ndryshojnë, pasi më shumë familje e zgjedhin këtë rrugë.

Për 38-vjeçarin Joel Young është ideja për t’u dhuruar fëmijëve ndërgjegjësim kulturor, së bashku me një lloj tjetër përvoje të të mësuarit që ndjek stilin e tij të jetesës.

Young, së bashku me bashkëshorten 39-vjeçare Jenna, kalojnë deri në gjashtë muaj të vitit, duke udhëtuar nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës me tre djemtë e tyre të moshës nga tetë deri në 14 vjeç.

“Jenna dhe unë u rritëm në Ohio, në komunitetet bujqësore. Unë nuk kam udhëtuar me avion deri në moshën 17-vjeçare. Do të dëshironim të kishim përjetuar më shumë përpara se të bënim zgjedhje kritike të jetës”, ka thënë Young.

“Duam që fëmijët tanë të kenë përfitimin e të parit të të gjithave. Kjo thjesht çon në një nivel më të mirë vendimmarrjeje”, ka shtuar ai.

Ata janë pjesë e një demografie në rritje të prindërve, të cilët kanë zgjedhur të udhëtojnë për periudha të gjata bashkë me fëmijët e tyre.

Një studim i kohëve të fundit nga Lonely Planet dhe platforma e pavarur Fiverr ka treguar shfaqjen e fenomenit të “punonjësve nga kudo”.

Një lloj i ri i nomadit digjital që, në vend që të jetë një profesionist i pavarur, priret të ketë një punë të qëndrueshme me njohuri që i lejon: të qëndrojë ku të dëshirojë.

Nga 1 mijë e 400 njerëz nga 67 kombësi të anketuara, 54 për qind janë identifikuar si të tillë. Kurse 70 për qind e tyre janë prindër që kanë marrë fëmijët me vete.

Sipas përgjegjësit të Lonely Planet, Sarah Stocking, para pandemisë familje si këto kanë qenë më të pakta.

Tani, pas pandemisë, shumë më tepër njerëz mund të punojnë në mënyrë fleksibël, plus prindërit kanë përvojë më të madhe të të mësuarit jo tradicional.

“Pandemia u tregoi shumë prindërve se si mund të dukej mësimi në distancë dhe se si mund të funksiononte shkollimi në shtëpi”, ka thënë Stocking.

Po ashtu u tregoi njerëzve sesi mund t’i përdornin mjetet ndryshe për të mbështetur familjet e tyre.

Prindërit, që përqafojnë një mënyrë jetese të mbushur me udhëtime, besojnë se fëmijët e tyre kanë më shumë përfitime.

Qoftë si ekspozim ndaj gjuhëve dhe kulturave të reja, aftësi të rëndësishme, si elasticiteti dhe përshtatshmëria, apo thjesht oreks për aventura.

Teksa puna në distancë liron më shumë familje për të eksploruar opsione të reja, të kuptuarit e kurtheve të mundshme të një stili jetese në udhëtim mund të jetë çelësi për të shfrytëzuar përfitimet e tij.

Dy prindërit besojnë se fëmijët e tyre po mësojnë më shumë në udhëtim se sa në një klasë.

“Është më e lehtë ta bësh mësimin një pjesë të natyrshme të jetës kur shikon gjëra të reja, kundrejt të njëjtës gjë çdo ditë”, ka thënë Joel.

Edhe mësuesja udhëtuese Lucy Alexandra Spencer, që ka shoqëruar familjet në udhëtime të gjata, pajtohet se të mësuarit në jetën reale vjen me përfitime.

“Ka të bëjë me ndihmën e fëmijëve që të kuptojnë se sa e hapur është bota dhe sa shumë mundësi të ndryshme ka. Gjithashtu ju bën të kuptoni se të mësuarit nuk ndalet kurrë”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, eksperti i zhvillimit të fëmijëve Jody LeVos, ka paralajmëruar se mungesa e rutinës dhe një rrjeti më i gjerë mbështetës mund të jetë i dëmshëm për fëmijët.

Paçka se ata janë të zhytur në përvoja të ndryshme kulturore.

“Fëmijët e vegjël në mënyrë tipike dëshirojnë një ndjenjë familjariteti. Krijimi i kësaj mund të jetë sfidë nëse zonat kohore, mjedisi fizik dhe kontaktet sociale ndryshojnë”, ka dalluar ai.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore