Kosova

Familjes Bunjaku i ndahet medalja “Mburoja e Policisë” së Kosovës


Policia e Kosovës

Medalja “Mburojë e Policisë” së Kosovës i është ndarë të mërkurën familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në sulmin terrorist të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjithashtu, bashkë me stafin e tij, në emër të Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla, ua dorëzoi flamurin shqiptar familjes Bunjaku në nderim të veprës së rreshterit kosovar.

Rreshteri Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, u vra në orët e para të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë që banohet kryesisht me serbë etnikë nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore