Kosova

Këshilltari i Pecit pranon fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit


Enis Osmani dhe Faton Peci

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të martën ka dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, Enis Osmanin, aktualisht këshilltarin politik të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecin, pasi i njëjti ka pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.

I akuzuari Osmani u dënua me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe mbrojtësit të tij, avokatit Sabit Pllana, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro, në pajtim me nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dënimin me gjobë, Osmani është obliguar të paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“Nëse i njëjti nuk e paguan gjobën, atëherë gjykata në kuptim të nenit 43 dënimin me gjobë do të ia zëvendësojë me dënim me burg, ku çdo ditë e dënimit me burgim do t’i llogaritet me shumën 20 euro”, deklaroi gjyqtari Beqiri.

Ndryshe, i akuzuari Osmani në seancën e 23 janarit e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, duke shtuar se ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 shkurt të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Enis Osmanit, me arsyetimin se më 11 qershor 2017, rreth orës 19:00, në fshatin Bare – Mitrovicë, saktësisht në shkollën fillore “Xhevat Jusufi”, i pandehuri Enis Osmani në vendvotimin me numër 1115B/02D për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të këtij vendvotimi, duke keqpërdor pozitën, detyrën apo autorizimet e tij lidhur me zgjedhjet, ka shtuar dhe hequr votat kandidatëve brenda subjekteve politike.

Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të tyre, duke i hequr votat disa kandidatëve dhe duke ua shtuar votat disa kandidatëve të tjerë, i regjistron në mënyrë të pasaktë gjithsej 246 vota, 228 prej tyre si vota të shtuara dhe 18 prej tyre si vota te hequra, prej tyre të shtuara 56 për PDK, 112 për LDK dhe 60 për LVV dhe të hequra 8 për PDK dhe 10 për LDK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore