Lajme

“Falja” e milionave – Kërkohet themelimi i komisionit parlamentar pas raportimeve të Albanian Post


Shefi i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Raportimi i Albanian Post për keqpërdorimin e rreth 90 milionë eurove nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu së bashku me zëvendësuesin e Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, me shlyerjen e kundërligjshme të borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit, do të shndërrohet në një hetim parlamentar, pasi Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkuar themelimin e një komisioni për këtë çështje.

“Javën e kaluar jemi njoftuar për një skandal jashtëzakonisht të madh. Pra, për llogaritjen e borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet me një seancë të jashtëzakonshme. Çështja e borxheve duhet të trajtohet me një komision hetimor, sepse këtu nuk është vetëm ministri që duhet të japë përgjegjësi para këtij komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri në konferencë për media.

PDK-ja ka kërkuar përgjigje në shumë pyetje lidhur me këtë çështje.

“Cila ka qenë baza ligjore, si ka shkuar ky proces, a ka pas intervenime politike e shumë e shumë çështje të tjera duhet të trajtohen përmes një komisioni hetimore. Janë shumë akterë në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës që duhet të vijnë para deputetëve dhe të japin argumente se përse kanë arritur”.

“Si është e mundur që dhjetëra miliona euro borxhe të reduktohen deri në atë masë”, ka thënë ai.

Tahiri gjithashtu ka kërkuar themelimin edhe të një tjetër komisioni parlamentar, atij për hetimin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ish aktivistit të Vetëvendosjes që u vetëvra gjatë kohës sa po qëndronte në paraburgim.

“Propozimi ynë për komisionin hetimor për humbjen dhe gjetjen e mostrave duhet të hedhet në dritë dhe duhet të thirren të gjithë ata aktorët të cilët janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore”.

Teksa, ka paralajmëruar se në rast të refuzimit do të iniciohet seancë e jashtëzakonshme.

“Ajo do të jetë në seancën e vazhdimit dhe nëse Kuvendi heziton ta votojë ne do ta inicojmë prapë me seancë të jashtëzakonshme. S’do të heqim dorë në asnjë rrethanë nga themelimi i këtij komisioni, sepse është mirë që qytetarët të dinë për humbjen e këtyre mostrave”, tha Tahiri.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Ekskluzive: Donika Gërvalla viziton kompaninë “Compact Group”, pasi Liburn Aliu e Naser Hafizi ia falën kundërligjshëm mbi 3.6 milionë eurove

Ekskluzive: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro

Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Adi – Ujë Lubeteni” borxhin prej 1 milion eurove për vetëm 48 mijë euro

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore