Falënderimi i munguar për Alban Jahon – Plisat me zemrën kuqezi, si ideja e tij për Kombëtaren në Evropian

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 16:10
Loading Icons...

Tetë vjet më parë, Shqipëria do të niste për të parën herë rrugëtimin në një Kampionat Evropian, të cilin nuk e kishte provuar ndonjëherë në histori.

Të pamësuar me shijen evropiane në botën e futbollit, shqiptarët edhe në aspektin e tifozerisë çalonin në organizim.

Një fushatë e pazakontë zuri vend në radhët e ndeshjeve të kombëtares, ku sporadikisht tifozët shfaqeshin me plisa në kokë. Diçka që u kthye në një ide më të madhe, pas një goditjeje si marketingu, ashtu edhe lëvizjeje tifozerie nga një emër i njohur në mediat shqiptare, Alban Jaho.

Ky i fundit, duke e parë këtë trend relativ, asokohe në drejtimin e kompanisë Digitalb (e cila kishte të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare), e mbushi stadiumin me nga një plis të stampuar me shqiponjën dykrenore në çdo karrige.

Po ashtu, u realizua edhe një këngë për mbështetjen e Kombëtares, e titulluar “Kuqezi je Ti”, kënduar nga kantautori Flori dhe Elvana Gjata.

Kishte skepticizëm rreth përdorimit të plisit në atmosferën e sjellë në një ndeshje futbollistike. Dyzimi, lidhej me kthimin pas në arkaiken, duke parë edhe faktin se në Shqipëri plisi nuk ka qenë aq i përdorur, sa në trevat shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Kjo lidhej edhe me aspektin moshor, ku kryesisht ishin personat më të vjetër, ata të cilët e ruanin një traditë të tillë socio-kulturore.

Transportohuni pas tashmë tetë vjet, në të tashmen e 2024-ës.

Jemi në evropianin e dytë dhe tre ndeshjet e Kombëtares shqiptare, janë parë brenda në stadium nga 30-50 mijë tifozë, sipas kapacitetit. Nga dhjetëra mijëra të tjerë edhe jashtë stadiumeve.

Mbizotërojnë në tifozerinë e bukur festive dy aspekte: Flamujt kuqezi dhe veshjet me ngjyrat kombëtare, si edhe tifozët me plisa (të pakoordinuar këtë herë), por me dëshirën për ta përqafuar traditën.

E pavarësisht kësaj, askush nuk e ka përmendur ndonjëherë Alban Jahon, i cili ishte ideatori i gjithë gjësë, pa kërkuar ndonjëherë vëmendje apo merita.

Edhe pse askush nuk e falënderon atë për idenë, të gjithë e reflektojnë bukurinë e asaj çfarë ai ka pasur në kokë, në ekspozenë e tyre tifozerike.

Kuqezi (me plisa në kokë) janë të gjithë tashmë!