Kulturë

Falënderimet dhe “djallëzia” pas një kremtimi vrastar


Secila gjeneratë amerikane ka mësuar ndër shekuj se Dita e Falënderimeve “Thanksgiving”– është dita kur pelegrinët u ulën së bashku me vendasit për të ndarë një vakt.

Kjo, bëhej e gjitha për të festuar të korrat e suksesshme.

Prestigjiozja amerikane “The New York Times”, shkruan fillimisht se anija “Mayflower” solli kolonizatorët nga Anglia.

Tokën të cilën ata e kolonizuan e quajtën Plymouth.

Jemi në vitin 1621. Pelegrinët mbajtën një festë tre-ditore, ku morën pjesë anëtarë të fisit Wampanoag.

Referuar festës aktuale, asokohe kolonizatorët nuk gostisnin por agjëronin gjatë Falënderimeve.

Festë e indigjenëve

Pra, kjo festë dhe kremtim të korrash u shpall për herë të parë si “e hareshme”, sipas revistës amerikane “The New Yorker”.

Lidhur me vaktet, shërbehej gjel deti ose ndonjë lloj tjetër shpendësh.

Pra, nuk kishte byrekë apo pure patatesh, siç konsumojnë sot amerikanët.

Siç thekson revista tjetër amerikane “The Smithsonian”, diskutimet për këtë ngjarje shpesh përqendrohen rreth kolonizatorëve, por amerikanët vendas kishin qenë me shekuj para tyre.

Referuar këtij fakti, historia duhet parë nga këndvështrimi i tyre për festën që në fakt për ta është një Ditë Kombëtare Vajtimi.

Me ardhjen e evropianëve filluan të transportoheshin edhe sëmundje nga përtej detit.

Këto të fundit i vranë vendasit me ritme jashtëzakonisht të larta.

Toka e “të ardhurve”

Rrjedhimisht, marrja e tokave u bë më e lehtë për kolonizatorët.

Një nga arsyet e mbërritjes së tyre në këtë territor ishte shitja e vendasve si skllevër.

Një moment i rëndësishëm shënjohet kur Ousamequin, udhëheqësi i fisit Wampanoag, kishte shpallur aleancë me kolonizatorët.

Anëtarët e fisit erdhën për të nderuar një pakt të ndërsjellë mbrojtjeje.

Kur dëgjuan pelegrinët që po gjuanin me armët e tyre në festë, ata menduan se ishin duke dyluftuar.

Që prej asaj kohe, pelegrinët kremtonin “falënderimet” në mënyrën e tyre tradicionale të agjërimit dhe lutjes, sipas “The New Yorker”.

Nga agjërim në asgjësim

Djallëzia nisi në vitin 1637, kohë kur Guvernatori i Kolonisë së Massachusetts-it shpalli një ditë falënderimi.

Arsyeja ishte masakrimi i 700 vendasve Pequot.

Ky incident, sipas të treja revistave amerikane, gjithashtu konsiderohet si përmendja e parë zyrtare e një ceremonie “falënderimi”.

Mizoritë kundër amerikanëve vendas nuk përfunduan me sëmundjet ose me masakrat.

Sidoqoftë, si të gjitha grupet, amerikanët vendas nuk janë monolit (një grup njerëzish që mendohet se janë të gjithë njësoj) dhe kanë këndvështrime të ndryshme për Ditën e Falënderimeve.

Për shembull, disa fise e shohin festën si një ditë zie kombëtare. Ata e shohin 25 nëntorin si ditën kur kolonizatorët erdhën në tokën e tyre, duke nxitur dekada dhune dhe keqtrajtimi.

400 vite

“Dita e Falënderimeve është një kujtesë e gjenocidit të miliona njerëzve vendas, vjedhjes së tokave vendase dhe sulmit të pamëshirshëm ndaj kulturës vendase”, thonë Indianët e Bashkuar Amerikanë të New England.

Ata e konsiderojnë këtë datë si një ditë zie prej 48 vitesh, sipas amerikanes “Native Hope”.

“Pjesëmarrësit në Ditën Kombëtare të Zisë nderojnë paraardhësit vendas dhe përpjekjet e popujve vendas për të mbijetuar sot. Është një ditë kujtimi dhe lidhjeje shpirtërore, si dhe një protestë ndaj racizmit dhe shtypjes që vazhdojnë të përjetojnë amerikanët vendas”.

Ky vit shënoi 400-vjetorin e Ditës së parë të Falënderimeve në New England.

E kujtuar dhe ritreguar si një alegori për këmbënguljen dhe bashkëpunimin, historia e Ditës së parë të Falënderimeve është bërë një pjesë e rëndësishme e mënyrës sesi e shohin amerikanët themelimin e vendit të tyre.

Ajo që ndodhi, duke filluar nga marsi i vitit 1622 reflekton shumë më tepër mbi origjinën e vendit – një histori që nuk flet për bashkëjetesë paqësore, por mes mosbesimit, zhvendosjeve dhe shtypjes.

Humbja e kujtesës

Kujtimet kolektive të një populli mund të ndryshojnë me breza.

Një studim i kohëve të fundit tregoi se amerikanët e rinj dhe të moshuar i renditën bombardimet amerikane ndaj Japonisë si një ngjarje kritike në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë, të moshuarit (ata që e përjetuan luftën) i vlerësuan bombardimet mjaft pozitivisht (bombat i dhanë fund luftës).

Ndërsa të rinjtë i vlerësuan bombardimet si negative (bombat vranë dhe plagosën mijëra civilë, lufta me siguri do të përfundonte së shpejti).

Kujtesa mitike e festës së vitit 1621 nuk lidhet më me politikën racore, etnike apo të identitetit kombëtar.

Në thelb, historia është ripërtërirë përmes një përhumbjeje të dhimbjes që pësuan vendasit.

Sot, gostia nis me një gotë që rreket në ajër, buzagaz dhe me gjelin e detit që qëndron në mes të tavolinës. Ata që gostisnin sot vajtojnë, e ata që agjëronin sot e kanë tryezën të mbushur e kujtesën të zbrazur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore