Kosova

“Faleminderit Tony Blair”, shtatorja prej 2 metrash e ish-kryeministrit britanik do të vendoset në Ferizaj


Shtatorja e Tony Blair

Shtatorja prej dy metrash e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair do të vendoset në Ferizaj këtë të mërkurë, pikërisht në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, derisa drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”, Bashkim Fazliu, për Albanian Post, ka dhënë detaje se si do të duket statuja e Blair-it.

“Përmasa dy metra është e ngritur diku me një mini bazë 60 centimetra do të thotë 2 e 70 centimetra shkon lart. Një shtatore shumë e bukur me mesazh shumë të qartë. E kemi pllakën me emrin e tij dhe e kemi një fjalë të bukur shqipe që është më e fuqishmja në krejt gjuhët e botës dhe ajo fjalë është faleminderit”, tha Fazliu.

Kur pyetet për idenë që Ferizaj të bëhet me shtatore të Blair-it, ai ka potencuar se “mos ta ketë Kosova një shtatore të tij, ka qenë turp realisht është turp”.

“Ne e kemi nisur atëherë e kemi emërtuar sheshin, jemi vonuar edhe ne pak. Këtë vit kemi vendosur që gjithsesi Ferizaj dhe Kosova do ta ketë shtatoren e Tony Blair edhe sot, më 12 qershor, 2024 Ferizaj edhe Kosova e ka përfundimisht shtatoren e Tony Blair”, ka treguar ai.

Ai ka theksuar se meqë ka munguar një statujë e një figure të rëndësishme në historinë e Kosovës, i ka shtyrë ata që të bëjnë përpjekje dhe të grumbullojnë mjetet financiare që në këtë qytet të vendoset shtatorja e ish-kryeministrit britanik.

“Të ardhurat janë ekskluzivisht donacione nga qytetarë vullnetmirë nga Ferizaj, Kosova e diaspora dhe bizneset nga Ferizaj e Kosova”, shtoi.

Tutje, Fazliu ka potencuar se është e domosdoshme të iu tregohet brezave kontributi që ish-kryeministri Blair ka dhënë për Kosovën.

“Mos të harrojmë që brezat që vijnë mund të harrojnë kush ka qenë Tony Blair dhe ne e kemi obligim jo vetëm për Tony Blair, por për secilin që na ka ndihmuar krahas luftës edhe sakrificës t’i kujtojmë në forma të tilla”, ka shtuar drejtori.

Ndryshe, më 10 qershor, Blair, vizitoi Kosovën dhe mbajti një fjalim në Kuvend.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, e ka nderuar atë me “Çelësin e Qytetit”, e po ashtu e ka shpallur “Qytetar nderi të Prishtinës”.

Blair, ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe.

Kujtojmë se Blair iu drejtua Parlamentit të Britanisë së Madhe më 23 mars 1999 duke thënë se ”çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore