Kosova

Fakete Kadiu emërohet U.D e Kryeshefit të Postës së Kosovës


ilustrim i fotografise

Fakete Kadiu, nga kjo e premte do të ushtroj detyrën e Kryeshefit të Postës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas dorëheqjes nga po kjo pozitë të Rafet Jasharit.

Dhënja e përgjegjësive të reja në punë, për Fakete Kadiun u bë në një takim të jashtëzakonshëm të Bordit të Përkohshme të Drejtorëve të Postës së Kosovës.

“Znj. Fakete Kadiu, i urojmë suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës dërguar mediave.

Ndërsa Rafet Jashari ishte emëruar në pozitën e Ushtruesit të Detyrës  së Kryeshefit Ekzekutiv në muajin qershor të këtij viti.

Javë më parë Albanian Post ka raportuar për një përleshje në mes Rafet Jasharit dhe një menaxheri të Postës, Mentor Beqiri.

Gjatë ditës së premte në media është raportuar se Departamenti për Hetime të Krimeve Ekonomike është duke i intervistuar 14 punonjës të Telekomit.

Sipas mediave intervistimi është duke u bërë për keqpërdorimet me telefona në Telekomin e Kosovës.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, i kontaktuar nga Albanian Post, nuk ka dhënë detaje rreth këtyre intervistimeve, me arsyetimin se “jam në pushim mjekësor”.

Telefonat të cilët ishin të destinuar për klientë dyshohet se u përvetësuan nga ish-shefi i marketingut në Telekom, Trim Musliu.

Në ndihmë në kryerjen e veprave penale dyshohet se u kanë dalë edhe Kushtrim Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut, e Denis Ceman, ish-këshilltar i ministrit Agim Veliu.

Gjykata Themelore në Prishtinë pati caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve Trim Musliu dhe Armend Osaj për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”,”Përvetësimi në detyrë” dhe “Falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore