Kosova

Fajon: Ballkani Perëndimor ka një shans të madh për t’u anëtarësuar në BE


Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

“Ballkani Perëndimor ka një shans të madh për t’u përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë këtë të enjte Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Këto komente ajo i bëri në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, që po mbahet në Toledo të Spanjës.

Fajon tha para gazetarëve se në këtë takim do të diskutohet për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ballkani Perëndimor ka një shans të madh për t’u përgatitur për t’u anëtarësuar në BE. Dua t’u bëj thirrje ministrave të bëjnë përpjekje. Ne po flasim për zgjerim në atë rajon, le të bëjmë diçka ‘jashtë kutisë’ dhe të finalizojmë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kryediplomatja sllovene.

Ndërsa, Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, duke komentuar deklaratën e presidentit  të Këshillit të Evropës, Charles Michel, i cili mendon se Bashkimi Evropian duhet të jetë gati të pranojë shtete të reja anëtare deri në vitin 2030, tha se nuk bëhet fjalë për data por është më shumë çështje vullneti nga ana e BE-së.

Ai theksoi se lidhet edhe me ofrimin nga ana e “vendeve tona partnere në Ballkanin Perëndimor apo tre vendeve të tjera kandidate”.

“Komisioni është i gatshëm të bëjë çdo propozim për të arritur atje dhe këtë do ta shihni tashmë në tetor, kur do të bëjmë propozime thelbësore duke përfshirë Planin e Rritjes, të cilin Presidenti ynë e ka shpjeguar tashmë në Bratislavë, që do të përshpejtojë jo vetëm institucionalin, por edhe integrimin real. Integrimi real i njerëzve dhe i ekonomive në Bashkimin Evropian”.

‘Zgjerimi i BE-së deri në vitin 2030’, Varhelyi: Nuk është çështje datash, por vullneti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore