Shqipëria

Faji për aksidentet është edhe i politikës, sipas Gonxhes


Jo vetëm shpejtësia apo sinjalistika, por edhe politika!

Bilanc tragjik ka qenë ai i 24 orëve të fundit në segmentet rrugore shqiptare, ku gjashtë persona kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, si pasojë e aksidenteteve automobilistike.

Mbi këtë ka folur edhe kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili fajin nuk e sheh vetëm tek infrastruktura rrugore apo drejtuesi i mjetit, por edhe tek aspekti politik.

Sipas Gonxhes, prej korrikut të vitit të shkuar priten amendimet e Kodit Rrugor, të cilat janë diskutuar në Parlament dhe që për shkak të një situate jo stabël politike, nuk po e gjejnë dot rrugën drejt votimit dhe më pas vënies në zbatim të tyre.

Ndaj, mbi këtë çështje, ai nuk sheh faj vetëm në aspekte, të cilat janë tashmë të ditura për gjithkënd.

Gonxhe shtoi se ende duhet parë nëse drejtuesi 20-vjeçar i mjetit “Audi”, i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Sauk, ishte nën efektin e drogave, apo alkoolit.

Por, pavarësisht kësaj, sërish duhet ndërgjegjësuar edhe faktori politik, për të ushtruar trysni në një rregullim më të mirë të rregullores së qarkullimit.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe vetë elementin e sigurisë nga ana e pasagjerëve, ku në rastin e aksidentit të Saukut, nëse dy pasagjeret që humbën jetën, do të kishin të vendosur rripin e sigurimit, për to mund të kishte pasur edhe shpresë për jetë.

6 vdekje në 24 orë në rrugët shqiptare

Gjithçka nisi me atë më të frikshmin, të ndodhur në zonën e Saukut, pranë vendit të njohur si mbikalimi i Teg-ut, ku për shkak të shpejtësisë së lartë, në një skenar thuajse kinematografik, një mjet tip “Audi” çau rrethimin e një mbikalimi dhe fluturoi për disa metra brenda autostradës, ku goditi një tjetër mjet në lëvizje, mbi kofano.

Si pasojë, të vdekura në vend mbetën dy vajza, njëra 22 dhe tjetra 23 vjeç.

Më pas, në Spitalin e Traumës, drejtuesi i mjetit, 20-vjeçari Klevis Ruçaj, ndërroi jetë po ashtu.

Teksa, tre persona që gjendeshin në mjetin që u godit nga Reçaj, u plagosën.

Ky aksident risolli edhe një herë vëmendjen e madhe drejt rregullave të qarkullimit dhe pasojave me të cilat shoferët problematikë që tejkalojnë shpejtësinë duhet të maten.

Mirëpo, nga ana tjetër, solli vëmendje të shtuar edhe ndaj rasteve të tjera të tilla, ku rishtaz u regjistruan tre vdekje të tjera nga aksidentet, brenda një dite.

Fillimisht, mesditën e 10 marsit u raportua në Durrës një aksident fatal, ku në afërsi të spitalit të qytetit, një betoniere përplasi për vdekje një 71-vjeçar, i cili po ngiste biçikletën. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme nga plagët e marra.

Më pas, në Kavajë, një drejtuese e një automjeti tip “Golf”, humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi në kanal, duke gjetur edhe vdekjen.

Orët e vona të pasdites nuk do ta kursenin sërish jetën, kur në aksin Maliq-Korçë, një automjet, i cili është larguar më pas nga vendngjarja, përplasi një këmbësor 39-vjeçar, duke e lënë të vdekur në vend.

Rastet më të lehta u regjistruan po ashtu në Shëngjin dhe Fier, ku fillimisht, u raportua se në hyrje të Shëngjinit, një mjet kishte përplasur një fëmijë 7-vjeçar, duke e plagosur, por fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.

Drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja.

Në Fier, një person 60-vjeçar mbeti i lënduar thuajse në të njëjtën mënyrë, duke marrë plagë të konsiderueshme, por jashtë rreziku për jetën.

Teksa, në aksin Kardhiq-Delvinë, dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore