Pajisje

Facebook-u, teston reklamat në kufjet e realitetit virtual


Media sociale, Facebook, ka nisur të shfaqë reklama në kufjet e veta të realitetit virtual të quajtura Oculus, pavarësisht se themeluesi i platformës ka deklaruar se nuk do ta bënte kurrë këtë gjë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se Facebook-u e ka cilësuar lëvizjen si një eksperiment. Reklamat do të nisin të shfaqen në një lojë të quajtur Balston me zhvillues të tjerë që shfaqin reklama të ngjashme.

Gjithashtu platforma ka bërë me dije se di të merrte parasysh reagimet para se të niste reklamat e realitetit virtual më gjerësisht.

Ndër të tjera, Facebook-u ka zbuluar se po teston formate të reja reklamash “që janë unike për realitetin virtual”.

Në 2017-n, pasi Facebook-u bleu Oculus-in, krijuesi Palmer Luckey ka pohuar për Next Web se “ne nuk do t’ju gjurmojmë ose të bëjmë ndonjë gjë invazive”.

Mirëpo, në faqen e internetit të Oculus-it, firma ka shkruar se “ne po shqyrtojmë mënyra të reja për zhvilluesit për të gjeneruar të ardhura. Kjo është një pjesë kryesore për të siguruar që ne do të krijojmë një platformë të vetë-qëndrueshme që mund të mbështesë një larmi modelesh biznesi që zhbllokojnë lloje të reja të përmbajtjes dhe audiencës”.

BBC tregon se përdoruesit e platformës do të jenë në gjendje të fshehin reklama specifike ose ato nga një reklamues i caktuar dhe Facebook-u ka premtuar se politika e vet e privatësisë do të qëndrojë e njëjtë.

“Facebook-u do të marrë informacion të ri, nëse keni ndërvepruar me një reklamë, dhe nëse po, si … për shembull, nëse klikoni në reklamë për më shumë informacion ose nëse e keni fshehur reklamën”, ka deklaruar kompania.

Njëkohësisht, inkurajon klientët të ndajnë reagimet e tyre përmes faqes së mbështetjes Oculus.

Pengesë për adoptim?

Facebook-u gjatë muajit të kaluar, nisi të testonte reklama në aplikacionin celular Oculus.

Leo Gebbie, një analist me CCS Insight, ka deklaruar se masa ishte e papritur.

“Në fund të fundit Facebook-u është ndërtuar mbi të ardhurat nga reklamat dhe nëse do të kishte ndonjë pritje që nuk do t’i ndërtonte ato në realitetin virtual, atëherë kjo është pak naive”, ka thënë ai.

Për sa i përket çmimit të kufjeve Oculus Quest 2, fillojnë nga 299 paund dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrohen po ashtu për 299 dollarë dhe ky çmim do të thotë se kufjet po shiten me “marzhe tepër të ulëta ose madje edhe nën kosto”, ka shtuar Gebbie.

Meqë të tjerët nuk janë në gjendje të konkurrojnë, kjo mund të nënkuptojë që Facebook-u kthehet në lojtar dominant.

“Qëllimi afatgjatë është që Oculus-i të jetë një platformë për realitetin virtual dhe realitetin e shtuar, me Facebook-un të prirur për të marrë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur”, ka vijuar analisti.

Gjithashtu ka theksuar se ndoshta mund të kishte një reagim kundër reklamave në kufje nga përdoruesit.

“Facebook-u nuk ka rekordin më të mirë mbi privatësinë dhe ekziston shqetësimi se ai do të vazhdojë të shtrijë kufijtë dhe të zvarritet drejt asaj që është invazive”, ka ravijëzuar.

Ndërkohë, Piers Harding-Rolls, drejtor kërkimesh i lojërave në Ampere Analysis, është shprehur se realiteti i shtuar ofronte mundësi të mëdha për firmat e teknologjisë.

“Nëse njerëzit po kalojnë më shumë kohë duke përdorur këtë teknologji, ata që dominojnë mundësinë e reklamimit në internet, përfshirë Facebook-un dhe Google-in, duan të jenë të vendosur mirë për të përfituar nga çdo ndryshim në zakonet e konsumatorit, në mënyrë që ata të mund të ndjekin audiencën në rrjetet e tyre të reklamave”, ka sqaruar Rolls.

Ai ka paralajmëruar se ata duhej të ishin të kujdesshëm në lidhje me balancimin e reklamave me një përvojë të mirë përdoruesi.

“Teksa nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për të pasur reklama në lojëra, natyra intime dhe gjithëpërfshirëse e realitetit virtual do të thotë që përvoja e konsumatorit ka të ngjarë të ndihet shumë ndryshe dhe kjo mund të përfaqësojë një pengesë për adoptimin e tyre”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore