Aplikacione

Facebook-u nuk ndalet me Trump-in


Media sociale, Facebook, ka hequr një video të ish presidentit amerikan, Donald Trump, nga faqja e nuses së djalit të tij, Lara Trump.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se Lara Trump, e cila është edhe bashkëpunëtorja e re e Fox News, postoi një video të saj ku ishte duke intervistuar ish presidentin për një sërë çështjesh.

Pas heqjes së postimit, Lara Trump publikoi një screenshot të një email-i që mori nga Facebook-u me anë të të cilit paralajmërohej për ndalimin.

Kjo lëvizje e platformës vjen pas ndalimit të ish presidentit amerikan nga Facebook-u në muajin janar pas trazirave të mbështetësve të tij në ndërtesën e Capitol-it në Washington.

“Në përputhje me bllokun që vendosëm në llogarinë e Donald Trump-it në Facebook dhe Instagram, përmbajtja e mëtejshme nën zërin e Donald Trump-it, do të hiqet dhe do të rezultojë me kufizime shtesë në llogari”, thuhet në email-in e dërguar.

Lidhur me pezullimin e llogarisë së Trump-it në Facebook një ditë pas trazirave të 6 janarit, po merret Bordi i ri i Mbikëqyrjes, i cili u krijua për të shqyrtuar vendimet e diskutueshme të moderimit.

Asokohe, Mark Zuckerberg, shefi i Facebook-ut, doli në mbrojtje të ndalimit duke thënë se “ne besojmë se rreziqet e lejimit të presidentit për të vazhduar përdorimin e shërbimit tonë gjatë kësaj periudhe janë thjesht shumë të mëdha”.

Facebook-u nuk është e vetmja platformë që ka ndaluar Trump-in. Twitter-i dhe YouTube-i kanë bllokuar gjithashtu llogaritë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore