Aplikacione

Facebook-u kërkon t’i përngjajë Clubhouse-it


Media sociale, Facebook, ka njoftuar se do të nxjerrë gjatë muajve të ardhshëm një seri karakteristikash të reja audio në aplikacionin e saj.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se lëvizja e Facebook-ut është një tentativë për t’i përngjarë aplikacionit të bisedave audio të quajtur Clubhouse, i cili lejon përdoruesit të marrin pjesë në biseda të drejtpërdrejta me zë.

Clubhouse-i arriti kulmin e vet gjatë periudhës pandemike ku nevoja e përdoruesve për platforma të mbështetura vetëm në audio ka qenë në rritje të vazhdueshme.

Ndërkohë, iniciativa e Facebook-ut për një veçori të ngjashme, ndryshe e quajtur Soundbites, do të mundësojë që përdoruesit të krijojnë dhe ndajnë sekuenca të shkurtra audio mes njëri-tjetrit.

Pritet që fillesat e veçorisë së re të jenë gjatë muajve të ardhshëm dhe të jenë të kufizuara për një numër të vogël krijuesish.

BBC zbulon se Soundbites-i do të shërbejë edhe për fitimin e të ardhurave nga dhomat e drejtpërdrejta të bisedave me zë. Mirëpo, ende është e paqartë nëse përfitimi prej saj do të jetë i hapur për të gjithë krijuesit apo vetëm për ata që kanë ndjekje relativisht të madhe.

Një tjetër përparësi është edhe lejimi i përdoruesve për një ndjekje të drejtpërdrejtë të një podcast-i nga aplikacioni bazë i Facebook-ut.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg, gjatë një diskutimi me gazetarin Casey Newton.

Nga ana tjetër, mbeten e paqartë ideja se si Facebook-u do të planifikojë të moderojë kanalet audio.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore