Aplikacione

Facebook-u dhe Instagram-i po nisin kufizimin e aksesit në lajme në Kanada


Kompania Meta ka thënë se do të fillojë të kufizojë lajmet në platformat e saj për konsumatorët kanadezë.

Masa vjen pasi parlamenti miratoi një projektligj të diskutueshëm të lajmeve në internet.

Projektligji detyron platformat e mëdha të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre.

Meta dhe Google-i tashmë kanë testuar kufizimin e aksesit në lajme për disa kanadezë.

Në vitin 2021, përdoruesit australianë u bllokuan nga shkëmbimi ose shikimi i lajmeve në Facebook në përgjigje të një ligji të ngjashëm.

Akti i Lajmeve Online i Kanadasë parashtron rregulla që u kërkojnë platformave si Meta dhe Google-i të negociojnë marrëveshje tregtare dhe të paguajnë organizatat e lajmeve për përmbajtjen e tyre.

Meta e ka quajtur ligjin “legjislacion thelbësisht me të meta që injoron realitetin se si funksionojnë platformat”.

Po ashtu ka dalluar se disponueshmëria e lajmeve do të përfundojë në Facebook dhe Instagram për të gjithë përdoruesit në Kanada – përpara se ligji të hyjë në fuqi.

“Një kuadër legjislativ që na detyron të paguajmë për lidhjet ose përmbajtjet që ne nuk postojmë dhe që nuk janë arsyeja pse shumica dërrmuese e njerëzve përdorin platformat tona, nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”, ka thënë një zëdhënës i Meta-s.

Sakaq, kompania ka bërë me dije se ndryshimet në lajme nuk do të kenë ndikim në shërbimet e tjera për përdoruesit kanadezë.

Kurse Google-i e ka quajtur projektligjin të papërshtatshëm në formën e tij aktuale dhe kompania po kërkon të punojë me qeverinë për të gjetur një rrugëzgjidhje.

Referuar qeverisë federale, ligji i lajmeve në internet është i nevojshëm për të rritur drejtësinë në tregun kanadez të lajmeve digjitale dhe për të lejuar organizatat e lajmeve në vështirësi të “sigurojnë kompensim të drejtë” për lajmet dhe lidhjet e shpërndara në platforma.

Ndërkohë, grupet e industrisë së medias përshëndetën miratimin e projektligjit si një hap drejt drejtësisë së tregut.

“Gazetaria e vërtetë, e krijuar nga gazetarë të vërtetë, vazhdon të kërkohet nga kanadezët dhe është jetike për demokracinë, por kushton”, ka thënë Paul Deegan, president dhe shef ekzekutiv i News Media Canada, një grup i industrisë mediatike.

Ligji i Lajmeve Online pritet të hyjë në fuqi në Kanada pas gjashtë muajsh.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore