Aplikacione

Facebook-u bëhet më i kujdesshëm ndaj përmbajtjeve satirike


Media sociale, Facebook, ka njoftuar se do të azhurnojë standardet e veta të komunitetit për të qenë më e qartë në mënyrën se si trajton përmbajtjen satirike. Kjo pas një rekomandimi nga Bordi i vet Mbikëqyrës.

“Ne do të shtojmë informacione në Standardet e Komunitetit çka e bën më të qartë se deri ku e konsiderojmë satirën si pjesë e vlerësimit tonë të vendimeve specifike të kontekstit”, ka shkruar kompania në një postim në blog.

Gjithashtu ka shtuar se “ky ndryshim do t’i lejojë skuadrat të marrin në konsideratë satirën kur vlerësojnë shkeljet e mundshme të gjuhës të urrejtjes”.

The Verge, faqe dedikuar teknologjisë, tregon se përditësimi vjen pasi Bordi i Mbikëqyrjes vendosi që Facebook-u veproi gabim në heqjen e komentit të një përdoruesi, duke iu referuar qeverisë Turke, bazuar në meme-n e dy butonave.

“Kjo meme paraqiti të njëjtën karikaturë me ekran të ndarë nga meme-ja origjinale, por me fytyrën e personazhit vizatimor të zëvendësuar me një flamur turk. Karakteri i karikaturës ka dorën e djathtë në kokë dhe duket se po djersit”, e përshkruan atë bordi.

Ai vazhdon se “mbi personazhin vizatimor, në gjysmën tjetër të ekranit të ndarë, ekzistojnë dy butona të kuq me etiketat përkatëse, në anglisht: ‘Gjenocidi Armen është një gënjeshtër’ dhe ‘Armenët ishin terroristë që e meritonin atë’. Meme-ja u parapri dhe u pasua nga emoji të fytyrës së menduar”.

Facebook-u e hoqi postimin, duke cituar Standardin e tij Komunitar të Ashpër dhe të Pandjeshëm, i cili përcakton se postimet që synojnë “viktima të dëmtimit të rëndë fizik ose emocional”, i cili përfshin përdorimin e meme-ve dhe ikonave, duhet të hiqen.

Verge shkruan se më vonë, platforma e riklasifikoi heqjen, kështu që ajo ra nën Standardin e Komunitetit të Gjuhës së Urrejtjes.

Bordi i Mbikëqyrjes ka theksuar në rekomandimin e tij se teksa Facebook-u ka thënë se do të bëjë përjashtime për satirën, ai nuk përcakton se si ose çfarë kualifikohet si satirë në udhëzimet e tij.

Ndërsa Facebook-u deklaroi në postimin e tij se përveç se i bën më të qarta udhëzimet rreth satirës, do të “nisë një rishikim të përmbajtjes identike me kontekstin paralel”, dhe mund të marrë masa të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore