Aplikacione

Facebook do të punësojë 10 mijë njerëz në BE për metaverse-in


Kompania teknologjike, Facebook, po planifikon të punësojë 10 mijë njerëz në Bashkimin Evropian për të zhvilluar të ashtuquajturin metaverse.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se metaverse është një botë në internet ku njerëzit mund të luajnë, punojnë dhe komunikojnë në një mjedis virtual, shpesh duke përdorur kufje të realitetit virtual.

Mark Zuckerberg, drejtori ekzekutiv i Facebook-ut, ka qenë zëri kryesor në këtë koncept të ri që supozohet të jetë e ardhmja e botës digjitale.

Ndërkohë, pohimet e tij vijnë teksa kompania merret me pasojat e një skandali dëmtues dhe përballet me thirrje të shtuara për rregullim për të frenuar ndikimin e saj.

“Metaverse ka potencialin për të ndihmuar në zhbllokimin e qasjes në mundësi të reja krijuese, sociale dhe ekonomike. Dhe evropianët do ta formojnë atë që në fillim”, ka deklaruar Facebook në një postim në blog.

Dhe se punët e reja që do të krijohen gjatë pesë viteve të ardhshme do të përfshijnë “inxhinierë shumë të specializuar”.

Facebook-u ka shtuar gjithashtu se investimi në Bashkimin Evropian ka ofruar shumë përparësi, duke përfshirë qasjen në një treg të madh të konsumit, universitete të klasit të parë dhe talente me cilësi të lartë.

Kjo e ka bërë kompaninë që ta shohë ndërtimin e metaverse një nga përparësitë e veta më të mëdha.

Gjiganti i teknologjisë, pavarësisht historisë në blerjen e rivalëve, pretendon se metaverse “nuk do të ndërtohet brenda natës nga një kompani e vetme” dhe ka premtuar se do të bashkëpunojë.

Kohët e fundit, kompania investoi 50 milionë dollarë në financimin e grupeve jofitimprurëse për të ndihmuar “në ndërtimin me përgjegjësi të metaverse”, citon “BBC”.

Megjithatë, Facebook-u është i mendimit se ideja e vërtetë metaverse do të zgjasë edhe 10 deri në 15 vjet.

Për sa i përket kritikëve, ata kanë thënë se ky njoftim i fundit është krijuar për të rivendosur reputacionin e kompanisë dhe për të tërhequr vëmendjen, pas një sërë skandalesh dëmtuese në muajt e fundit.

Këto përfshijnë zbulimet e denoncueses, Frances Haugen, e cila ka punuar më parë si menaxhere produkti në ekipin e integritetit qytetar në Facebook.

Ky hulumtim i brendshëm i Facebook-ut zbuloi se Instagram-i, të cilin ai e posedon, po ndikonte në shëndetin mendor të adoleshentëve.

Mirpo, shkruan “BBC”, kompania nuk i ndau gjetjet e veta kur u sugjerua se platforma ishte një vend “toksik” për shumë të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore