Evropiani U-21 me Serbinë, Duka: Pa harruar të shkuarën, duhet të shikojmë të ardhmen

Kreu i FSHF-së thotë se bashkëpunimi me Serbinë është për të mirën e Shqipërisë
SHFLETO

Armand Duka

 

Romario Ismailaj
28.09.2024 16:45
Loading Icons...

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “Klan News” ku ndër të tjera ka folur edhe për çështjen më të nxehtë të ditëve të fundit, atë të organizimit të Euro 2027 për U-21 së bashku me Serbinë.

Kreu i FSHF-së theksoi se ky event sjell shumë të mira për Shqipërinë dhe që të gjithë duhet të mos gjykojnë emocionalisht, pasi është vetëm një garë sportive.

“Ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Evropian U-21 në Shqipëri për vitin 2027, si fillim vetëm, më pas kemi bashkuar konkurrimin tonë bashkë me Serbinë”, tregon Duka.

“Në fakt nga dita që kemi aplikuar e deri më sot është bërë shumë punë, janë përgatitur shumë dokumente për të përgatitur dosjen për të qenë pjesë e kësaj gare. Me këtë rast falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për t’i përgatitur, pasi është një volum shumë i madh, që nuk përfshin vetëm Federatën e Futbollit, por edhe qeverinë shqiptare, bashkitë, përfshin gjithë infrastrukturën që duhet, hotelerinë, aeroportin që është shumë i rëndësishëm”.

“Mendoj se kemi përgatitur dokumentacionin e duhur për të qenë organizatorë të kësaj gare, që për mua e çdokënd ka vetëm benefite sportive për Shqipërinë”, thotë kreu i FSHF-së.

Duke vijuar më tej, Duka tregon edhe aspektet pozitive të organizmit të këtij turneu.

“I pari benefit sportiv është që Shqipëria merr pjesë në ato finale pa kualifikuese. Është një shans që deri më sot nuk ka ndodhur që U21-shi jonë të jetë në një Kampionat Evropian, gjë që do t’i ndihmonte futbollistët tanë dhe ekipet shqiptare në përgjithësi”, theksoi ai.

“Ndihmon ndryshimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri”.

“Ndihmon edhe kampionati i 17-vjeçarëve në 2025-ën, sepse për ta bërë atë ne toerikisht kemi aplikuar që do të bëjmë kaq fusha, kaq stadiume etj, etj. Tani ne do t’i bëjmë, pasi nëse nuk i bëjmë nuk realizohet kampionati. Pra përfiton infrastruktura akoma më shumë në 2027-ën me U-21”, vijoi Duka.

Duke u ndalur pikërisht te bashkëorganizimi me Serbinë, kreu i futbollit shqiptar thotë: “Në fund të fundit ne do të luajmë në Shqipëri dhe Serbia në Serbi, por bashkëkandidimi është një faktor i rëndësishëm. Ne vetëm nuk kemi mundësi ta organizojmë. Gjithsesi kjo edhe ka ngjallur diskutime, ka edhe në një lloj mënyre kundërshtime”.

“Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë emocionalisht, duhet të gjykojmë akoma më shumë. Padyshim nuk kam një pozicion kritik për ata që gjykojnë emocionalisht, por i ftoj që të gjykojmë ndryshe”.

“Pa harruar të shkuarën ne duhet të ndërtojmë të ardhmen dhe kush më mirë se futbolli mund t’i japë këto mesazhe bashkëpunimi, solidariteti”.

“Në fund të fundit ne nuk kemi vetëm një bashkëpunim me Serbinë, atë përmes futbollit, kemi edhe bashkëpunime në fusha të tjera, bashkëpunime politike, tregtare, pavarësisht se jemi kritik në shumë gjëra”.

“Ne duhet të ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të shkuarën. Vërtetë mbase periudha nuk është shumë e gjatë nga ajo çfarë ka ndodhur mes popullit tonë dhe atij serb, apo ushtarëve serb dhe popullit tonë”.

“Ka shumë historira të tjera popujsh ashtu sikurse ne. Futbolli ka ndikuar aq sa mund të ndikojë pozitivisht”.

“Në fund të fundit ne do të bëjmë një kampionat sportiv, ky është një aktivitet sportiv. Në këndvështrimin tonë, qëllimi jonë është thjesht benefite sportive. Ne do të luajmë në Shqipëri, grupi tjetër në Serbi”, përfundoi shefi i FSHF-së, Armand Duka.

Kujtojmë se sipas “Associated Press”, UEFA ka pranuar ofertën Shqipëri – Serbi për Euro 2027 për grupmoshat deri në 21 vjeç, pasi ishte e vetmja ofertë që përmbushi afatet kohore të aplikimit.

Një vendim zyrtar nga UEFA ende nuk ka ardhur, por kjo besohet të jetë vetëm çështje kohe.