“Evropa Tani” dhe Milatoviç më të vlerësuarit në Mal të Zi, tregon hulumtimi
Brixhilda Xhuraj
29.05.2023 7:56Nëse qytetarët në Mal të Zi do të shkonin drejt kutive të votimit në gjysmën e parë të muajit maj, Lëvizja “Evropa Tani” do të merrte shumicën e votave me 29.1 %.
Të paktën kështu tregon hulumtimi i Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM), i kryer gjatë gjysmës së parë të këtij muaji.
Sipas tij, Lëvizja ka mbështetjen e 29.1 për qind të votuesve, dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) 24.1 për qind të mbështetjes.
Fronti Demokratik (DF) ka mbështetjen e 13.2 për qind të të anketuarve, Demokratët 11.1, Partia Boshnjake 5.2, Lëvizja Civile “URA” 4.4 dhe Social Demokratët e Forumi Shqiptar nga 1.9 për qind.
Partia Socialdemokrate, e cila në dhjetor kishte mbështetjen e 3.2 për qind të votuesve, tani do të votohej nga vetëm 2.1 për qind.
Sipas këtij hulumtimi, politikani më i vlerësuar është presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me një vlerësim mesatar prej 2.87, i ndjekur nga lideri aktual i “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, me vlerësim 2.47.
Pas tij renditet, Aleksa Beçiç, me vlerësim 2.46 dhe kreu i shtetit në largim, Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Dritan Abazoviç me vlerësim 2.36.
Jo vetëm kaq, hulumtimi tregoi se 38 për qind e qytetarëve malazezë besojnë se Mali i Zi është në rrugën e duhur, ndërsa 29 për qind mendojnë se veni është në rrugën e kundërt.
“Kemi një trend në rritje të numrit të qytetarëve që besojnë se Mali i Zi po ecën në drejtimin e duhur. Përkundër faktit se ngjarjet në skenën socio-politike janë të trazuara në mesin e qytetarëve, të jep ndjesinë se ndryshimet janë pozitive”.
Ishin këto fjalët e drejtoreshës së CEDEM-it, Milena Beshiç, në konferencën për media.
Ajo bëri të ditur se e njëjta anketë tregoi se “14.5 për qind e qytetarëve janë shumë të kënaqur me punën e Qeverisë së Malit të Zi, 21.5 për qind janë kryesisht të kënaqur, ndërsa 19 për qind janë kryesisht të pakënaqur, dhe 2.7 për qind e qytetarëve janë shumë të pakënaqur”.
Po ashtu, anketa ka treguar se qytetarët janë më të kënaqur me sistemin arsimor, të cilit i besojnë 59.3 për qind e qytetarëve.
Pas sistemit vjen Kisha Ortodokse Serbe (KPS), të cilës i besojnë 55.5 për qind, sistemi shëndetësor të cilit i besojnë 54.1 për qind, policia 50.9 për qind, Delegacioni i Bashkimit Evropian 47 për qind dhe organizatat joqeveritare 46.9 për qind.
Sondazhi i parë i këtij viti tregoi po ashtu se nëse regjistrimi do të mbahej tani, shumica e qytetarëve në Mal të Zi do të deklaroheshin si malazezë.
Konkretisht: 42,8 për qind, ndërsa 32,8 për qind do të deklaroheshin si serbë, pasi 8.7 për qind do të thoshin se ishin boshnjakë, dhe 4.9 për qind do të thoshin se ishin shqiptarë.
CEDEM tha se hulumtimi është kryer në periudhën nga 1 deri më 14 maj në një kampion prej 1 mijë e 3 të anketuarve.