Evropa me kritika për Kosovën: Progresi ka qenë i kufizuar, duhet të punohet më shumë

SHFLETO

Ilustrim

 

Dreni Himbeqa
11.10.2022 9:35
Loading Icons...

Komisioni Evropian në raportin vjetor të progresit, Kosovën e ka veçuar për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.

Kështu të paktën shkruan Radio Evropa e Lirë e cila ka siguruar qasje në draftet e teksteve të paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor të përpiluara nga Komisioni Evropian që pritet të miratohet më 12 tetor.

Sipas Komisionit Evropian, Kosova ka pasur stabilitet politik, por ngecje në agjendën legjislativ.

“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.

Kjo, sipas raportit, ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative, por edhe për shkak se, siç thuhet, deputetët e opozitës kanë abstenuar nga votimi, për të penguar miratimin e vendimeve.

Dokumenti përmend edhe funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.

Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.

Kritika Kosovës i bëhen edhe për atë që Komisioni Evropian e cilëson si “vendosje e kufizimeve për eksportin e një numri të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore, pa justifikim dhe pa konsultim me Komisionin Evropian”.

Komisioni Evropian

Konstatohet, po ashtu, se Kosova nuk e ka ratifikuar akoma protokollin plotësues të CEFTA-s, për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimeve.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit.

Situata në veriun e Kosovës, ndërkaq, vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket “korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes”.

Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.