Lajme

Evropa importon vëllime rekord të gazit të lëngshëm rus


Evropa po importon një sasi rekord të gazit rus, një shenjë se rajoni nuk e ka hequr plotësisht varësinë e tij nga burimet energjetike të Federatës Ruse.

Kjo, edhe pse rrjedha përmes tubacioneve është ndalur plotësisht.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta londineze “Financial Times”.

Importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus, i transportuar zakonisht me cisterna të mëdha, u rritën me më shumë se 40 për qind midis janarit dhe tetorit të këtij viti.

Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Shifra e publikuar nënvizon vështirësitë me të cilat përballet Evropa në heqjen dorë nga gazi nga Moska, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për t’iu larguar burimeve ruse.

LNG-ja ruse përbën 16 për qind të importeve detare evropiane gjatë kësaj periudhe.

Megjithëse vëllimi i përgjithshëm prej 17.8 miliardë metra kub ishte vetëm një pjesë e 62.1 miliardë metra kub gaz që rrjedh nëpër tubacione gjatë asaj kohe, megjithatë e lë Evropën të varur nga burimet energjetike ruse.

Rusia gjithashtu mund të devijojë ngarkesat drejt vendeve me mungesë të LNG-së si Bangladeshi dhe Pakistani me çmime të ulëta për të fituar avantazh politik dhe për të bërë presion mbi evropianët.

Sanksionet ndaj gazit rus për shkak të rëndësisë së tij për sigurinë energjetike të disa vendeve evropiane nuk u zbatuan.

Nga ana tjetër, Kremlin-i përfitoi nga kjo duke reduktuar gradualisht rrjedhën përmes tubacioneve pas pushtimit të Ukrainës.

Më pas autoritetet ruse rritën çmimet dhe përkeqësuan krizën e kostos së jetesës në të gjithë kontinentin.

Sipas të dhënave të Bruegel, vëllimi i gazit nga Rusia në transportin e tubacioneve u ul me pothuajse 80 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për të mbushur boshllëkun, Evropa, e cila vitin e kaluar importoi 155 miliardë metra kub gaz natyror rus, duke përfshirë LNG, u kthye në tregun ndërkombëtar të gazit të lëngshëm.

Sipas të dhënave të Refinitiv, nga janari në tetor, BE importoi një rekord prej 111 miliardë metrash kub LNG në nivel global, që është pothuajse 70 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Importet nga Rusia gjatë kësaj periudhe arritën në 17.8 miliardë metra kub, 42 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Franca, Belgjika, Spanja dhe Holanda përbëjnë pothuajse të gjitha vëllimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore