Lajme

Evropa duhet të përgatitet për krizën e fentanilit, thotë shefja e çështjeve të brendshme të BE-së pas paralajmërimit nga Blinken


BE duhet të përgatitet për një rritje të drogës sintetike fentanil.

Kështu tha për prestigjiozen “Politico”, Ylva Johansson, komisionerja e çështjeve të brendshme të BE-së pas një paralajmërimi nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken, se Evropa ose ka një problem të pazbuluar me drogat sintetike ose do të goditet nga një e tillë së shpejti.

Fentanil, një drogë sintetike që vlerësohet të jetë 50 herë më e fortë se heroina, është shkaku i dhjetëra mijëra vdekjeve nga mbidoza në SHBA çdo vit.

Në një ngjarje anësore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi kërcënimet shëndetësore dhe të sigurisë të drogave sintetike, Biden u kërkoi aleatëve që t’i marrin seriozisht kërcënimet e shkaktuara nga fentanili.

“Kur fola me sekretarin Blinken, ai tha kështu për drogat sintetike: Ose është një problem që keni, që nuk e dini se e keni, ose është një problem që do ta keni”, tha Johansson.

Fentanili dhe drogat e tjera sintetike nuk janë ende shqetësimi më i madh i BE-së, tha Johansson – me kanabisin duke qenë droga më e përdorur.

Por, ndryshe nga SHBA-të, ku drogat sintetike kontrabandohen nga vende si Meksika, Evropa ka kapacitet laboratorik për të prodhuar droga sintetike, të cilat mund të shkaktojnë një krizë.

“Kapaciteti për të prodhuar fentanil në BE është këtu, ne e kemi atë”, tha Johansson.

“Kjo do të thotë sigurisht që në momentin që ata vendosin të fillojnë ta bëjnë këtë dhe mendojnë se ka një kërkesë, kjo mund të shkojë shumë shpejt”.

Një total prej 434 laboratorësh të prodhimit të drogës sintetike të paligjshme u çmontuan në BE në vitin 2021, sipas Raportit Evropian të Drogës 2023.

“Duhet të jemi shumë vigjilentë dhe shumë të përgatitur”, tha Johansson.

BE-ja tashmë po forcon mandatin e agjencisë së saj të drogës, e cila merret me aspektet shëndetësore dhe të sigurisë të drogave të paligjshme, dhe u jep atyre “shumë më shumë fuqi dhe dyfishin e burimeve”.

Një plan veprimi i BE-së kundër trafikut të drogës, i shpallur nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Evropian do të nisë deri në fund të këtij viti, konfirmoi Johansson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore