Lajme

Evropa ‘digjet’ nga i nxehti afrikan, temperatura rekord


Një valë e madhe e të nxehtit nga Afrika veriore e ka pushtuar një pjesë të mirë të kontinentit evropian, ku përtej temperaturave rekord të shënuara në termometër, nuk kanë munguar as zjarret.

Kanë qenë zjarrfikësit spanjollë, ata me më shumë punë për shkak të zjarreve masive që e kanë përfshirë gadishullin iberik.

Javët e para të verës në Spanjë madje, janë edhe më të nxehtat të regjistruara në dekada, me rekorde temperaturash të thyera.

Rreth 200 persona u evakuuan nga banesat e tyre në Sierra de la Culebra, pas djegies së mbi 7 mijë hektarëve tokë.

Një park i madh argëtimi po ashtu, Puy du Fou, u evakuua tërësisht (rreth 3 mijë persona), pasi një zjarr i madh shpërtheu në pyjet e afërta.

Në disa rajone, temperatura ka arritur deri në 40 gradë Celsius, teksa mesatarisht, termomentri është ndalur në 35 gradë.

Franca prej të premtes po përballet me një mot shumë të nxehtë, me vende ku temperatura ka arritur po ashtu mbi 40 gradë Celsius.

Këto valë të nxehti nuk shiheshin prej vitit 1947 në Francë, teksa njerëzit janë rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin, përveçse për nevoja urgjente.

Në Britaninë e Madhe janë regjistruar gjithashtu temperatura të larta për muajin qershor, të cilat shkonin mbi 30 gradë Celsius – tepër e pazakontë në këtë periudhë për ishullin.

Paralajmërimet e vazhdueshme të shkencëtarëve mbi ngrohjen globale, po shihen tashmë akoma më shumë si reale, duke qenë se gjithë bota po vuan prej disa vitesh pasojat e ndryshimeve klimatike, me zjarre e përmbytje të shtuara kudo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore