Lajme

Evergrande pezullon tregtinë e aksioneve në Hong Kong


Gjiganti kinez i pasurive të paluajtshme, i goditur nga kriza, Evergrande, ka pezulluar tregtinë e aksioneve të tij në Hong Kong.

Kjo, në një moment, kur investitorët presin lajmet mbi planin e tij të ristrukturimit.

Deklarata në bursë nuk jepte arsye për ndalimin e tregtimit.

Evergrande ka më shumë se 300 miliardë dollarë borxh dhe po përpiqet të mbledhë para duke shitur asete dhe aksione për të shlyer furnitorët dhe kreditorët.

Më herët Kompania nuk kishte përmendur asnjë shumë dhe kishte rënë dakord që të kthejë 10% të investimit deri në fund të muajit kur produkti maturohet.

E përditshmja “BBC” tregon se kompania ka shitur 5.7 për qind të aksioneve në firmën mediatike, HengTen Networks Group, e cila prodhon filma, shfaqje televizive dhe gjithashtu operon një platformë transmetimi.

Deri më tani, kompania kineze e ka shmangur mospagimin e borxheve, duke bërë pagesa të vonuara pak para skadimit të afateve 30-ditore.

Në fillim të vitit 2021, ajo zotëronte shumicën e aksioneve në HengTen, por që atëherë ka bërë një numër shitjesh aksionesh teksa përpiqej të grumbullonte para për të përmbushur angazhimet financiare.

Ndërkaq, “BBC” tregon se aksioneri tjetër i madh i korporatës HengTen është gjiganti kinez i teknologjisë, Tencent.

Ky i fundit bleu shtatë për qind të aksioneve nga Evergrande për rreth 266 milionë dollarë në muajin korrik.

Kjo shitje e aksioneve e bën Tencent-in aksionerin më të madh të kompanisë mediatike, me një aksion prej gati 24 për qind.

Përveç HengTen, Evergrande shiti javën e fundit edhe biznesin e vet të prodhimit të motorëve elektrikë të quajtur Protean me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga ana tjetër, kompania nuk zbuloi se sa fitoi nga shitja e kompanisë, të cilën njësia e saj e prodhimit të automjeteve e bleu për 58 milionë dollarë në vitin 2019.

Në muajt e fundit, Evergrande ka luftuar për të shitur disa nga asetet e tjera, teksa përpiqej të grumbullonte paratë e nevojshme për të bërë pagesat e interesit të borxhit.

Muajin e kaluar, ajo ndaloi tregtimin e aksioneve në bursën e Hong Kong-ut përpara një njoftimi për një “transaksion të madh”.

Më pas, shkruan “BBC”, pas një pezullimi 17-ditor, Evergrande njoftoi se një marrëveshje prej 2.6 miliardë dollarësh për të shitur një aksion në njësinë e saj të shërbimeve të pronës kishte dështuar.

Kjo pasi nuk ishte në gjendje të pajtohej me kushtet e marrëveshjes.

Borxhi i madh prej 300 miliardë dollarësh i Evergrande-s dhe problemet e kompanisë me shlyerjen e borxhit kanë shkaktuar frikën se kolapsi i saj i mundshëm mund të shkaktojë tronditje në tregjet globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore