Kosova

EUROPOL: Personi i arrestuar në Kosovë për para të falsifikuar është punonjës i MPB-së maqedonase


EUROPOL

Agjencia Evropiane e Policisë, EUROPOL, ka njoftuar se personi që është arrestuar më 4 gusht nga institucionet e Kosovës për prodhimin e qindra mijërave monedha false në vlerë prej dy eurove është identifikuar si punonjësi i Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës kishte njoftuar se të arrestuarit i ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

“Arrestimi i tij është kulmimi i operacionit disamujor mes autoriteteve kosovare dhe maqedonase me mbështetjen e EUROPOL-it dhe Eurojust Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale”, u tha në njoftimin e EUROPOL-it më 6 gusht.

Ky institucion ka sqaruar se “34 vjeçari i arrestuar në Prishtinë, dyshohet se ka falsifikuar qindra mijëra monedha prej 2 eurosh në dy vjetët e fundit”.

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut ishte arrestuar të dielën në Kosovë, ai dyshohej për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 eurosh.

Në njoftim thuhej se në Maqedoni të Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme dhe janë sekuestruar makineri për prodhimin e parave të falsifikuara, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë edhe lëndën e parë të prodhimit të tyre.

Më 13 maj, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2023 mbi 2 milionë euro të monedhave 2 euro false janë tërhequr nga qarkullimi.

Në muajin nëntor, gjashtë persona ishin arrestuar kjo pasi dyshoheshin për falsifikim të parasë, tre kanë qenë shtetas nga Kosova ndërsa tre të tjera nga Maqedonia e Veriut.

Në laboratorin e mjekësisë ligjore të policisë në Prishtinë, stafi ekzaminoi më shumë se 30 mijë monedha të falsifikuara 2 euro në gjysmën e parë të vitit 2023, krahasuar me 4 mijë e 451 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Institucionet financiare evropiane kishin ndarë disa këshilla se si mund të identifikohen paratë false.

Një prej metodave është prekja e monedhës, pasi monedhat false zakonisht janë më të vrazhda.

Po ashtu, mund të identifikohen devijime, shkronja dhe simbole në mospërputhje me origjinalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore